Odiseja e tranzistorit breg Drinit të Bardhë

05 dhjetor 2022 | 22:54

Shkruan: Agron Hoti

Eh more motra e vëllezër, tyneherë në Ratkoc shkonim për t’u larë në Dri të Bardhë që përshkon pjesën perëndimore të fshatit, tanimë zonë urbane në kuptimin e plotë të fjalës.

Përndryshe Drini i Bardhë përbën kufirin natyral mes Bashkisë së Rahovecit dhe Komunës së Gjakovës. Në kohë dreke apo mrizi (pushim bagëtije pranë ujit e hijes nga 11:30-15:30) i tërë fshati shkonte për t’u e t’i flladitur në Dri të Bardhë.

Me një fjalë pranë Drinit të Bardhë gjatë drekës apo mrizit ndodhte një show i vërtetë jete idilike i kohës kur dikush kërcente në ujë nga bregu, dikush nga lisi, dikë e hidhnin në ujë si zhabën, organizoheshin gara kërcimesh në ujë, ku kërcimi “dallëndyshe” merrte më së shumti poena e plot lojëra tjera brenda dhe jashtë ujit. Nuk është që s’kam kërcyer edhe unë në ujë, pavarësisht se performanca ime më shumë shkaktonte të qeshura nga çaraveshja e hapareshja, sesa që sillte ndonjë poen kërcimi. Me rëndësi që s’dorëzohesha, hërrp të tjerët, hërrp unë. Ndërkohë që Bacaloku (një i afërm imi e di ai mirë për kë e kam fjalën) kërcimin në ujë e ka pasur për turpin e zotit me një performancë udopt (tepër të dobët)…

Si fëmijë u pata mësuar të notoja, jo nga qejfi, por rrumbullak nga zori, sepse s’të pyeste kush në të ishe fëmijë dhe në të dije not apo jo, kryesorja ishte që bagëtinë duhej ta çoje pranë dhe përtej Drinit të Bardhë. Me një fjalë si fëmijë duhej t’i grahje prapanicës saktësisht si një argat i plotë, nuk t’i pyeste kush letrat se a po shfrytëzoheshe si fëmijë për fuqi punëtore apo jo.

Fenomeni i shfrytëzimit të fëmijëve si fuqi punëtore mund të ketë qenë çështje e teorive të sociologjisë së kohës, por asesi e realitetit të kohës, pallavra ishin ato që komunizmi ishte social e i mirë dhe se të gjithë ishin të barabartë. Dallimi i standardit jetësor mes fshatit e qytetit veç për zhdukje klasash s’mund të fliste.

Për t’u kthyer prapë te noti. Ngaqë s’dija not në moshën 5-6 vjeçare, njëherë në një rast derisa po mundohesha të notoja i pata larë gati duart në një thellësi te vendi i quajtur “ilixhe”, por më pati shpëtuar vëllau i madh, të cilit i falënderohem për jetë e mot.

Gjëja më interesante ishte kur me fëmijë të Mahallës sime, Mahalla e Colëve apo Colavite, Derë Hon e Don për nga pasuria, përfshirë Bacalokun me buallicën dëmtare që i quhej Arushë dhe që ia njihte tërë fshati, shtriheshim kokë për kokë në Lluga të Drinit të Bardhë me tranzistorin (radio i vogël me bateria) në mes ku zgjasnim veshët për të ndëgjuar komentatorët e futbollit të Prishtinës me skuadrat tjera jugosllave.

Ndërkohë tranzistorin ë siguronte një kusheri tjetër, të cilit i shkonin për duarsh këto sende. Kishim edhe një kusheri tjetër që kishte një pelë dhe të cilën e quante Xhevri. Thjeshtë ishim kombinime të ndryshme gjeneratë mahalle. Ndërsa mua ma jepte setrën babai edhe verës, kishte frikë se mos po ftohesha, ndërkohë që temperaturat larta të përvëlonin.

Atë botë adrenalina na kishte shkuar në qiell nga gëzimi i futjes së Prishtinës në Ligë të Parë Futbollistike të Jugosllavisë dhe sapo Fadil Vokrri, Nexhipi, Cana, Domi, Shengyli apo të tjerë shënonin ndonjë gol, ne çoheshim shpejtë nga gëzimi dhe kërcenim pothuaj si pa kokë nga bregu në Dri të Bardhë për t’u kthyer më pas sa më shpejtë për ta ndëgjuar komentatorin.

Nganjëherë qëllonte komentimi serbisht dhe krejt çfarë kuptonim ishte “jedanaesterac (penallti)”. Jo rrallë ndodhte që derisa hutoheshim duke e ndëgjuar komentimin, të na iknin bagëtija e të futeshin nëpër ara dhe të vinte dikush të na hypte çukzë (dajak) gjersa ne ishim të shtrirë kokë për kokë me tranzistor në mes.

Të rriheshe tyneherë ishe sikur bukë e ujë. Sapo ikte çukza ne prapë afroheshim për ta ndëgjuar komentatorin në tranzistor. E kur ndodhte të fitonte Prishtina t’i merrnim vrapat nëpër Lluga të Drinit të Bardhë, i bënim ca kruga si pa kokë dhe në fund ç’kllum kërcenim në Dri të Bardhë, bërtimë na shkonte gjithandej nga gëzimi se fitonte Prishtina. Tranzistorin duhej ta mbanim fshehtë, sepse po ta zuri dikush më i vjetër i mahallës, të të hypte çukzë së pari dhe të ta currte (sekuestronte) pastaj e s’ta kthente më.

Kështu ishte tyneherë, motra e vëllezër, e sot midis arave të Ratkocit mjafton të kesh një Iphone apo Samsungje? e të jesh i lidhur me internet dhe ta shikosh drejtëpërdrejtë lojën e futbollit apo çfarë të duash. Sot, askush nuk e di se ç’është tranzistori, gjersa tyneherë ta kishe një të tillë ishte sikur ta kishe një X3.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizës Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se veteranët…