OEAK: Bizneset kërkojnë nga Qeveria e re angazhim më të madh në aftësimin e fuqisë punëtore

30 gusht 2019 | 13:54

Pavarësisht angazhimit të sektorit privat në aftësimin e të rinjve në industri të ndryshme, Qeveria duhet të luajë rol kyç në përgatitjen e të rinjve në fusha të caktuara përmes programeve strategjike afatgjate. Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK),  ku bizneset e pranishme dhanë rekomandimet e tyre rreth kapitalit njerëzor në Kosovë për Qeverinë e re.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, ka thënë se ndër sfidat më të mëdha me të cilat po ballafaqohen bizneset kosovare, e sidomos ato në sektorin e prodhimit, shërbimeve, dhe tregtisë, është edhe sigurimi i kuadrove të duhura të fuqisë punëtore.

“Qeveria e re duhet të fokusohet edhe në aftësimin e të rinjve për të qenë të gatshëm për tregun e punës”, u shpreh Zeka.

Përfaqësuesja e kompanisë Limak, Valentina Gara, ka thënë se kapitali njerëzor është një faktor shumë i rëndësishëm në zhvillimin e individëve për përgatitjen e tyre profesionale.
“Zhvillimi ekonomik arrihet jo vetëm nga hapja e vendeve të punës por duke krijuar kuadrot e duhura në vendin e punës përmes investimeve të bëra nga Qeveria në programe të ndryshme”, u shpreh Gara.

Kryeshefi Ekzekutiv i kompanisë “Orbico”, ka thënë Fikret Havolli, se mungesa e kuadrove të kualifikuara duhet të adresohet si problem kryesor për të arritur zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. “Qeveria e re në fokus duhet të ketë krijimin e një strategjie afatgjate për ta aftësuar fuqinë punëtore si dhe të prioritizojë zhvillimin e fushës së ndërmarrësisë”, u shpreh Havolli.
Tutje ai shtoi si rekomandim krijimin e një pakoje stimuluese për të rinjtë në aftësimin e tyre sipas elementeve të KPI e cila do të ndihmonte në mbështetjen dhe motivimin e talentëve në vend për t’u zhvilluar më tutje.

Ndërsa përfaqësuesi Rainer Gerke nga kompania gjermane “Getting Competent”, theksoi rëndësinë e promovimit të faktorëve të cilët mbajnë fuqinë punëtore në vend në mënyrë që Kosova të mos ketë mungesë në industri të caktuara. Ai shtoi se Qeveria duhet të identifikojë arsyet se pse të rinjtë largohen nga vendi dhe të fokusohet në krijimin e kushteve të favorshme për aftësimin e tyre për të zhvilluar karrierën e tyre në vend, duke shtuar se kapitali njerëzor duhet të jetë faktor i cili nxit të rinjtë të mos largohen në tregje ndërkombëtare.

Në anën tjetër, Ariel Shaban nga kompania prodhuese “KIVO”, ka thënë se nevojiten reforma në programet afatgjate të punës praktike në universitete duke përmendur si kyce bërjen e një studimi konkret të nevojave në këtë drejtim, ku shtoi se vendimet e marra nga Qeveria do të bazoheshin në këto studime profesionale.
Ai shtoi poashtu si të rëndësisë parësore parashikimin e pozicioneve afatmesme dhe afatgjate duke thënë se nevojitet qasje më sistematike në edukimin professional për të balancuar ofertën dhe kërkesën në treg.

 

/Epoka e Re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe Loriana Kuka ka fituar medaljen e bronztë në kampionatin…