OEAK-u: Partneriteti publiko-privat rrit sigurinë nacionale kibernetike

02 nëntor 2020 | 13:57

Avancimi digjital i përshpejtuar nga pandemia Covid-19 ka sjellë përfitime të ndryshme për shoqërinë, por në të njëjtën kohë u ka hapur rrugë rreziqeve të padukshme kibernetike.

Gjatë një forumi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) me një panel ekspertësh vendorë dhe të huaj është diskutuar epoka e re e sigurisë kibernetike, mbështetja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme rreth sigurisë kibernetike, si dhe rëndësia e partneritetit publiko-privat dhe e bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë aspekt.

Xhavit Gashi, këshilltar i jashtëm i Odës Ekonomike Amerikane, njëherit edhe moderator i këtij eventi, ka thënë se situata globale e krijuar nga pandemia Covid-19 e ka rritur rëndësinë e sigurisë kibernetike, por gjithashtu edhe numrin e rreziqeve që burojnë nga ajo.

Ndërsa gjenerali Timothy Orr, ish-drejtor për mbrojtje publike në shtetin e Iowas, ka theksuar se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) gjerësisht përdoret partneriteti publiko-privat për të mbrojtur infrastrukturën kritike dhe rrjetet, si dhe për të shtyrë strategjinë e përgjithshme kibernetike.

Sipas tij, çdo qeveri duhet të ketë një strategji kibernetike me të cilën përcaktohet funksionimi i vendit në këtë aspekt, duke krijuar një kornizë për ndarjen e informatave mbi rreziqet kibernetike që u kanosen sektorit publik dhe atij privat.

Në anën tjetër, Doug Jacobson, profesor dhe drejtues i Qendrës për Siguri të Informacionit në Universitetin Shtetëror të Iowas, ka thënë se rëndësi e veçantë në këtë vend është duke iu kushtuar edukimit të shoqërisë mbi sigurinë kibernetike. Sipas Jacobson, gjatë kësaj periudhe të përdorimit edhe më të madh të digjitalizimit janë parë shumë praktika mashtruese, siç janë ato të dërgimit të emaileve të rreme me qëllim të zbulimit të informacioneve personale, të cilat kryesisht targetojnë individët, por edhe të tjera më serioze me target bizneset.

Më tutje, Lajos Antal, udhëheqës për shërbimet e rrezikut kibernetik në Evropën Qendrore brenda kompanisë “Deloitte”, ka thënë se sulmet kibernetike të cilat në nivel global kanë qenë në rritje gjatë kësaj kohe, përveç se dëmtojnë financiarisht kompanitë, dëmtojnë edhe marrëdhëniet me partnerët, shitësit e besueshëm dhe akterët e tjerë. Sipas tij, siguria kibernetike kërkon investime, por megjithatë është e pashmangshme dhe luan rol imperativ në mbrojtjen nga sulmet të cilat targetojnë kompanitë.

Kurse Kujtim Gashi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, ka thënë se kjo kohë ka krijuar një mundësi të mirë për sinkronizim të aktiviteteve lidhur me sigurinë kibernetike në mes të sektorit publik dhe atij privat. Ai ka thënë se është shumë e rëndësishme që gjatë viteve të fundit janë rritur kapacitetet e sigurisë kibernetike në infrastrukturën shtetërore, dhe sulmet deri më tani janë përballuar me sukses.

Pjesë e këtij paneli ka qenë edhe Xhanan Karaqa, udhëheqëse e departamentit të sigurisë në “NLB Bank”, e cila ka potencuar se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme gjithashtu janë ballafaquar me sulme kibernetike të cilat janë të pranishme në çdo shtet të botës. Ajo ka theksuar rëndësinë e rritjes së njohurive tek këto ndërmarrje lidhur me rreziqet kibernetike, në mënyrë që të njëjtat të kenë mundësi të mbrojnë rrjetet dhe të dhënat e tyre.

E Rina Basholli, inxhiniere e avancuar në sigurinë e informacionit, ka theksuar se tashmë me një avancim të përshpejtuar nga pandemia, mundësitë e rritura për sulme kibernetike kanë prekur vektorë të ndryshëm të sigurisë. Sipas saj, mungesa e njohurive për sigurinë kibernetike mbetet një sfidë, derisa ekziston nevojë për ngritje të ndërgjegjësimit tek shoqëria ndaj sulmeve të mundshme, dhe nevojës për të qenë pro-aktiv në këtë aspekt.

Në fund, Mentor Hoxhaj, kryetar i “Cyber Security and Privacy”, ka thënë se një ndër problemet kryesore lidhur me sigurinë kibernetike është mungesa e raportimit të shkeljeve në të dhëna dhe mungesa e investimeve në një infrastrukturë kibernetike. Hoxha ka theksuar nevojën për krijimin e një standardi për raportim, dhe rritjen e transparencës në mënyrë që të hartohen sistemet mbrojtëse.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Besimtarët e huaj myslimanë janë lejuar të shkojnë në Arabinë…