OKB-ja: Të paktën 18 persona janë vrarë në protestat në Mianmar

28 shkurt 2021 | 14:55

Të paktën 18 persona janë vrarë të dielën në Mianmar, ku po mbahen protesta kundër puçit ushtarak. Kështu tha zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

“Përgjatë ditës, në disa lokacione në mbarë vendin, policia dhe forcat ushtarake kanë konfrontuar protestuesit paqësorë, duke përdorur forcë vdekjeprurëse dhe forcë më pak vdekjeprurëse, thuhet në informacionet e besueshme që ka marrë Zyra për të Drejtat e Njeriut e OKB-së. Të paktën 18 persona kanë vdekur dhe mbi 30 janë lënduar”, ka thënë kjo zyre.

Në Mianmar, që ndryshe njihet edhe si Birmani,  që prej puçit ushtarak të 1 shkurtit, qindra-mijëra persona kanë dalë në protesta për ta kundërshtuar marrjen e pushtetit nga ushtria.

Ushtria pretendon se ka pasur mashtrime në zgjedhjet e nëntorit të kaluar, ku ka shënuar fitore bindëse partia e lideres de fakto të këtij shteti, Aung San Suu Kyi.

Suu Kyi, së bashku me udhëheqësin e partisë së saj, u arrestuan më 1 shkurt.

Puçi ushtarak ka ndërprerë përpjekjet drejt demokracisë të Mianmarit, që ka qenë nën sundimin ushtarak për 50 vjet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth 700 punëtorë të ndërmarrjes “Trepça” ende nuk e kanë…