Operacioni sekret, 20 oficerë të antiterrorit dëbuan diplomatët spiunë të Iranit (Video)

19 janar 2020 | 16:16

Irani i ka sjellë si diplomatë, ndërsa Shqipëria i ka dëbuar si të përfshirë në spiunazh.

“Top Channel” ka mësuar se nën masa të forta sigurie dhe në sekret të plotë oficerët e Drejtorisë së Antiterrorit dhe ShISh-it, mbrëmjen e të shtunës, kanë dëbuar diplomatët Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast.

Burime në dijeni të këtij operacioni dëbimi i kanë thënë këtij mediumi se 20 oficerë të Drejtorisë së Antiterrorit, kanë shoqëruar të dy diplomatët së bashku me familjet e tyre nga apartamentet ku banonin në drejtim të Rinasit.

Disa ditë më parë Ministria e Evropës dhe Punëve të Jashtme, ka thënë se dy diplomatët iranianë, janë shpallur persona të padëshirueshëm, për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre.

Mohammad Ali Arz Peimanemati, ishte konsull i Ambasadës së Iranit në Shqipëri. Me një të kaluar aspak diplomatike, por i caktuar i tillë, me një qëllim tjetër krejt të kundërt me atë çfarë duhet të bëjë një diplomat. Ai ishte anëtar i njësisë operacionale të inteligjencës së Iranit, e njohur si “QUDS”.

Seyed Ahmad Hosseini Alast, mbante postin e atashehut kulturor, por me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, Drejtoria e Antiterrorit dhe ShISh-ut kanë marrë të dhëna se Alast kishte mbajtur poste të larta në Gardën Revolucionare të Republikës Islamike.

Shqipëria ka shpallur person “non-grata” në dhjetor 2018 edhe Gholamhossein Mohammadnia ambasador i Iranit Shqipëri nën dyshimin se ishte agjent i shërbimeve sekrete iraniane duke e dëbuar.

Të njëjtin fat ka pasur edhe Mostafa Roudaki, një tjetër diplomat ish-sekretar i Ambasadës së Iranit në Shqipëri, duke u dëbuar në dhjetor të 2018.

Zëvendësndihmës sekretari i Shtetit dhe i dërguari i veçantë për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer në takimin me ambasadorën e re amerikane, Yuri Kim, e ka vlerësuar si “qëndrimin e guximshëm dhe parimor të Shqipërisë mbi Iranin” dëbimin e dy diplomatëve.

Po ashtu edhe DASh-i ka përshëndetur dëbimin e tyre nga Tirana.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në fshatin Zasellë të Mitrovicës është inauguruar të dielën ujësjellësi…