Opozita kërkon llogari nga Bislimi: Dialogu ka degraduar, vendi të shkojë në zgjedhje

21 korrik 2023 | 13:39

Anëtaret e Komisionit për Integrim Evropian kanë mbajtur konferencë për medie të premten, pas dështimit të raportimit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi në këtë komision.

Ky i fundit ishte ftuar të raportojë në lidhje me dialogun por që nuk ishte prezentë.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për mosraportim.

Sipas saj, skandalet e qeverisë janë të panumërta dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

“Njeriu dy i kësaj qeverie prej marrëzisë dhe skandaleve sot nuk ishte për të raportuar, sepse e gjithë ajo që ka bërë kjo qeveri janë skandalet e panumërta. Sot Kosova është më keq se kurrë nga brenda më e izoluar se kurrë nga jashtë. Në seancën e fundit kemi parë që numri dy ushtron dhunë ndaj deputetëve. Ata sa më herët duhet t’i lirojnë pozitat dhe vendi të shkojë në zgjedhje e të kthehet legjitimiteti te qytetarët”, ka thënë ajo.

Në sallën ku ishte paraparë të mbahej mbledhja Komisionit për Integrim Evropian, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka vendosur disa fotografi ku shihet Bislimi duke e gjuajtur me shishe deputetin e PDK-së, Mërgim Lushtakun.

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se edhe përkundër konfirmimit se do të marrë pjesë në mbledhjen e këtij komisioni, Besnik Bislimi nuk kishte ardhur, madje kishin munguar edhe deputetët e pozitës. “Sot e kam thirrur takimin, zëvendëskryeministri dje na ka njoftuar që nuk vjen, qëllimi u bë i ditur sot se nuk erdhën as deputetet e pozitës. Ne e kemi thirrur për të raportuar për sanksionet, dhe takimin në Bratislavë, një takim që nuk duhet të ndodhet atje por në Bruksel”, ka thënë Krasniqi

Kritika për mosraportim të Bislimit pati edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj. “Kjo është qeveria më jotransparente. Kjo qeveri është e obliguar që përmes një rezolutë që të diskutojë për dialogun. Po e shihni se kjo qeveri po ikën nga deputetët”, ka thënë deputetja Kadrijaj.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pas dështimit të raportimit të zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi në Komisionin për Integrime Evropiane. “Nuk është hera e parë që kryenegociatori i Kosovës për dialog nuk raporton në Komisione të Kuvendit. Raportimi i Qeverisë në Kuvend për dialogun nuk është në vullnetin e saj, por është obligim kushtetues. Nuk është mund t’i iket kësaj përgjegjësie”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Ai ka thënë se “është për keqardhje degradimi i dialogut nga takimet e nivelit më të lartë në Uashington e Bruksel për ‘Marrëveshje finale, ligjërisht e obligueshme, për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve’, në dialog nëpër hotele të plazheve, në Bratisllavë e në Ohër për marrëveshje të ndërmjetme që e lënë problemin hapur për dhjetë vitet e ardhshme”, ka shkruar Hoti.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi më 19 korrik ka qëndruar në Bruksel ku mori pjesë në raundin e radhës të negociatave të nivelit të kryenegociatorëve, në kuadër të procesit të dialogut. Ai pati takim bilateral me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Në këtë takim, u diskutuan katër tema kryesore. Plani i sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes Bazike; Deklarata për Personat e Pagjetur; Termat e referencës për Komitetin e Përbashkët i cili merret me monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike; dhe Energjia.

I pyetur nga gazetarë sa i përket masave ndëshkuese të BE-së, ai tha se: “Dakordimi (i Bratisllavës) ka të bëjë me zbatimin e kërkesave të BE-së dhe i përgjigjet këtyre kërkesave. Për ne ka qenë e qartë që nga fillimi që kjo është rruga për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe është habi që ende nuk kemi një letër shpjeguese nga ana e z. Borrell që kërkon heqjen e masave nga ana e Komisionit Evropian”.
Bislimi ka thënë se Marrëveshja Bazike duhet të zbatohet në plotni.

“Ne kemi kërkuar që të ketë qartësim të plotë të hapave në mënyrë që të respektohet vetë kriteri i dhënë nga BE-ja ku thuhet që zbatimi duhet të ketë një mënyrë konsekutive ku Kosova bën diçka e Serbia bën diçka. Për çdo masë, për çdo veprim që kërkohet nga Kosova, ne kemi kërkuar të dimë se cili është kundërveprimi nga ana e Serbisë dhe mendoj që do të jetë problematike për palën serbe të argumentojë se ata nuk duan të zbatojnë ndonjë pjesë të marrëveshjes ose duan që pjesë kryesore të marrëveshjes t’i zhvendosin për në fund, për arsye se kriteri i veprimeve ku të dyja palët bëjnë diçka duhet të respektohet në plotni”, është shprehur zëvendëskryeministri Bislimi.

Kuvendi i Kosovës më 13 korrik u shndërrua në një vend përleshjesh fizike, mes deputeteve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe anëtarëve të Qeverisë së Kosovës, që drejtohet nga Albin Kurti.

Përleshjes i paraprinë akuzat e ashpra rreth një audio-incizimi, në të cilin Mimoza Kusari-Lila, kryetare e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), u dëgjua të pohonte se kishte komunikuar me nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, vitin e kaluar.

Partitë opozitare reaguan ashpër ndaj qeverisë, pas publikimit të audio-incizimit.

Nga LV-ja, para dhe pas ardhjes në pushtet, Radoiçiq është cilësuar si kriminel që punon kundër shtetit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtari me famë botërore, Ricky Martin, ka kënduar mbrëmë në…