Opozita kërkon të kihet kujdes gjatë hartimit të ligjeve

19 shtator 2023 | 14:40

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka mbajtur mbledhjen e parë në sesionin vjeshtor.

Anëtarët e partive opozitare në këtë komision kanë bërë thirrje që të rishikohen më shumë kujdes ligjet të cilat kalojnë nëpër këtë komisioni, pasi sipas tyre, një numër i ligjeve që po dërgohen në Gjykatën Kushtetuese janë duke u rrëzuar nga kjo e fundit.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se duke marr parasysh që ky është një komision i rëndësishëm duhet që të kihet më shumë kujdes ndaj ligjeve që bien ndesh me Kushtetutën.

Po ashtu, ai ka propozuar që të formohet një grup i cili do të bëjë plotësimin e ligjeve të cilat kanë kaluar në Kuvend.

“Duhet të jemi të kujdesshëm maksimalisht me e pa që ligjet të cilat bien ndesh me Kushtetutën t’i kemi parasysh dhe si Komision ta ngrisim në nivelin sa më lartë. Nuk guxojmë me qenë Komisioni funksional edhe me i trajtuar me neglizhencë”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa deputetja e PDK-së Blerta Deliu, ka thënë se si parti pajtohen që duhet që të respektohet Kushtetuta e vendit dhe që të jenë më të kujdesshëm me ligjet të cilat kalojnë në këtë komision.

“Në emër të PDK-së i bashkohem thirrjes së kolegëve të mi opozitarë për respektim të Kushtetutës, përderisa një pjesë e madhe e ligjeve që kanë përfunduar në Kushtetuese kanë marrë epilog kundërkushtues. Atëherë, normalisht që neve na bie barra dhe përgjegjësia si komision kryesor për të parë nëse do të kemi sërish përballje me ligjet të cilat e shkelin Kushtetutën”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, deputeti i Vetëvendosje, Dimal Basha, ka thënë se Ligji për Këshillin Prokurorial është trajtuar edhe në Komisionin e Venecias, dhe se janë marrë parasysh rekomandimet që janë dhënë. “Nëse Komisioni i Venecias ka dhënë rekomandime, ato rekomandime janë zbatuar, atëherë nuk po mendoj që duhet me pas filtër tjetër përveç që Gjykata Kushtetuese mendon ose din më mirë se Komisioni i Venecias”, ka thënë Basha. /EO

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama, gjatë një vizite në…