Opozita kërkon uljen e tarifave për energjinë elektrike, pushteti del kundër

18 janar 2024 | 13:01

Përmes një draft-rezolute, tri partitë opozitare në Kosovë kanë kërkuar uljen e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë.

Ferat Shala, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), që ka prezantuar draft-rezolutën pesëpikëshe të kësaj partie dhe dy subjekteve të tjera opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (LDK), ka thënë se çmimet e rrymës janë “të papërballueshme” për qytetarët.

“Kjo rritje e çmimit është e papërballueshme. Prandaj, duhet zbritur kjo tarifë sepse energjia përfshihet në grupin e produkteve të nevojshme për konsum si buka, kripa, uji, vaji etj. Prandaj, edhe çmimi duhet të bëhet i përballueshëm”, ka thënë Shala gjatë seancës së jashtëzakonshme.

Sipas Shalës, për dy vjet, Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE) dhe Qeveria e Kosovës, kanë shtrenjtuar çmimet e rrymës.

Përmes draft-rezolutës, po kërkohet që ZRrE-ja dhe Qeveria të ulin çmimin e energjisë “në harmoni me rrethanat socio-ekonomike dhe nivelin e çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar”. Po ashtu aty është kërkuar të bëhet anulimi i bllok-tarifës për konsumatorët familjarë. Ndërsa nga qeveria është kërkuar që të ndërmarrë masa, për “krijimin e parakushteve financiare për anulimin e menjëhershëm të vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe lehtësimin e barrës financiare për konsumatorët familjarë të energjisë elektrike”.

Ndërsa mimoza Kusari-Lira, shefe e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, ka thënë se ekzekutivi është duke punuar për gjetjen e zgjidhjes për situatën në sektorin energjetik.

Megjithatë, ajo ka kritikuar draft-rezolutën e opozitës, duke mos i dhënë mbështetje.

“Rezoluta e prezantuar nuk është serioze dhe nuk kontribuon në ofrimin e zgjidhjes. Kjo nuk është risi në vetvete, pasi zgjidhjet që i keni ofruar në vazhdimësi kanë qenë seancat e jashtëzakonshme për gjendjen në sektorin e energjisë, komisione hetimore për sektorin e energjisë. Ndërkaq, në vazhdimësi keni abstenuar në votime në vendimmarrje në zhvillimin e politikave në sektorin e energjisë”, ka thënë Kusari-Lila.

Më tutje, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka kritikuar qeverinë e Albin Kurtit nga Lëvizja Vetëvendosje, që sipas tij, gjatë tre vjetëve në pushtet ka bërë që me shpejtësi “të rriten çmimet e çdo produkti”, dhe inflacioni i lartë, sipas tij, e ka bërë “koston e jetesës të papërballueshme për shumicën e qytetarëve”.

“Çfarë bëri kjo qeveri për të rritur kapacitetet e gjenerimit të energjisë? Asgjë. Zero. Një megavat të vetëm nuk e shtuan në mbi tre vjet qeverisje. Nëse kjo do të ishte një garë e shteteve në Ballkan, Kosova jonë do të ishte ende e shtangur në vijën e nisjes duke qëndruar, e duke vrojtuar të tjerët duke hapërura përpara, e ne duke mos lëvizur një hap të vetëm”, ka thënë Mustafa ai.

Bllok-tarifat që janë në fuqi, sipas shefit të grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, janë diskriminuese për konsumatorët, pasi kushdo që shpenzon mbi 800 megavat paguan tre fish më shumë sesa ata që nuk e kalojnë këtë shifër të konsumit.

“Në momentin që ne do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, që të adresohet prej kontekstit të të drejtave të njeriut, ne do ta fitojmë rastin”, ka thënë ai.

Tarifat e fundit të energjisë janë miratuar prillin e vitit të kaluar. Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë brenda një muaji, çmimi gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovate dhe 6.81 centë për atë që shpenzojnë më shumë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ukraina ka blerë gjashtë obusë të tipit “Caesar”, ka thënë…