
Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së: Specialja, mekanizëm politik, nuk ka për qëllim ndarjen e drejtësisë por selektimin e saj
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në një reagim publik ka thënë se me shqetësim të thellë kanë ndjekur lajmin për dorëzimin e një aktakuze të ndryshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, ku pretendohet për një formë të re të përgjegjësisë penale, kinse për “shtytje” në pengimin e personave zyrtarë.
Në reagim thuhet se ky veprim dëshmon qartë vazhdimin e një qasjeje të padrejtë dhe të njëanshme ndaj figurave kryesore të luftës çlirimtare dhe shtetformuese të Kosovës. “Përfshirja e Thaçi në një çështje që nuk ka asnjë lidhje me akuzat e mëparshme për të cilat po mbahet në paraburgim, është tregues se synimi nuk është drejtësia, por zgjatja e procesit dhe njollosja e qëllimshme e figurave që përfaqësojnë simbolin e rezistencës dhe lirisë së popullit tonë”, thuhet në reagim.
Tutje theksohet se “është më se e qartë se Gjykata Speciale, që nga themelimi i saj, ka funksionuar si një mekanizëm politik, i cili nuk ka për qëllim ndarjen e drejtësisë, por selektimin e saj”.
“Kjo gjykatë është shndërruar në një instrument të padrejtësisë ndërkombëtare, ku veprimet e saj janë shpesh të motivuara politikisht dhe në kundërshtim me parimet themelore të së drejtës penale. Është e papranueshme që në emër të drejtësisë të përdoren metoda që duken më shumë si mjete presioni sesa si standarde ligjore të një gjykate ndërkombëtare. Tentimi për ta ngarkuar Thaçin me përgjegjësi për vizita të lejuara nga vetë autoritetet, gjatë kohës sa ishte në paraburgim, është i pabazë dhe politikisht i motivuar”, është thënë në reagimin e OVLUÇK-së.
OVLUÇK ka ftuar opinionin publik, institucionet vendore dhe ndërkombëtare që të reflektojnë mbi këtë qasje selektive dhe të ndalojnë një proces që po përdoret për të rishkruar historinë dhe për të njollosur luftën e drejtë të UÇK-së.
Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazlizt dhe Hajredin Kuçit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar që parasheh shtimin e një forme përgjegjësie për Thaçin.
Kjo u bë e ditur nga vetë Prokuroria përmes një parashtrimi të 16 prillit 2025, e cila tregoi se ndryshimet janë bërë në paragrafin 43 dhe 46 përkatësisht pikat e akuzës 1, 2 dhe 3, ka raportuar “Betimi për Drejtësi”.
Më 14 prill 2025, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, ka ndryshuar vendimin e saj të mëparshëm për konfirmimin e aktakuzës, kështu duke konfirmuar formën e përgjegjësisë penale për Thaçin që bie në bazë të nenit 32 (3) të KPRK-së që ka të bëjë për shtytje në kryerjen e veprës penale të “Pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, në bazë të nenit 401 (3) dhe (5) të KPK-së.