Gani Koci sjell lajme të mira për shëndetin: Tumori në mëlçi drejt largimit përfundimtar
Ish-i burgosuri politik, ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-deputeti Gani Koci ka ndarë lajme inkurajuese lidhur me gjendjen e tij shëndetësore, duke bërë të ditur se tumori në mëlçi është në fazën përfundimtare të largimit.
Përmes një mesazhi drejtuar miqve, bashkëluftëtarëve dhe të gjithë atyre që e kanë mbështetur gjatë përballjes me sëmundjen, Koci ka bërë të ditur se aktualisht ndodhet në Zagreb, ku po vazhdon trajtimin dhe kontrollet mjekësore.
Ai ka njoftuar se rezultatet e fundit janë tejet inkurajuese dhe shpresëdhënëse, ndërsa pas një periudhe të vështirë trajtimi, tashmë po hyn në një fazë të re të mbikëqyrjes dhe mirëmbajtjes së gjendjes shëndetësore, me terapi në intervale më të zgjatura kohore, sipas rekomandimeve të mjekëve.
Në mesazhin e tij, Koci ka shprehur mirënjohje të thellë për të gjithë ata që e kanë mbështetur moralisht dhe materialisht gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Falënderim të veçantë ai ka adresuar për bashkëshorten Sanie, vajzat Blinerën, Enkelën dhe Zanën, si dhe djalin Ulpianin, duke theksuar se familja ishte mbështetja dhe forca e tij në ditët më të vështira.
Koci ka falënderuar gjithashtu stafin mjekësor të Klinikës Onkologjike, në krye me Dr. Ilir Kurtishin, si dhe ekipin e Klinikës së Radiokirurgjisë në Zagreb, të udhëhequr nga Prof. Dr. Hrvoje Kauçiq, për profesionalizmin, kujdesin dhe përkushtimin gjatë trajtimit.
Në fund të mesazhit të tij, Koci ka theksuar se solidariteti, miqësia dhe dashuria njerëzore i kanë dhënë forcë për ta përballuar këtë sfidë, duke shprehur mirënjohjen e përjetshme për të gjithë ata që qëndruan pranë tij.
“Ju jam borxhli përjetë!”, është një nga mesazhet më domethënëse të falënderimit të tij.
“Në ditët e mia më të vështira, ju më dhatë arsye të besoja në ditët më të mira”, ka shkruar Gani Koci.
Postimi i plotë i Kocit:
TË DASHUR MIQ, SHOKË DHE DASHAMIRË!
Dua të ndaj me ju një lajm të mirë, një lajm që për mua dhe familjen time është burim i një gëzimi të veçantë, i shpresës dhe i mirënjohjes së pafund.
Këto ditë ndodhem në Zagreb, në vazhdim të trajtimit dhe kontrolleve të mia mjekësore. Rezultatet e fundit janë tejet inkurajuese dhe shpresëdhënëse. Tumori në mëlçi është në fazën përfundimtare të largimit të tij. Një rrugëtim i vështirë, i mbushur me sfida, ankth e pasiguri, po i afrohet një etape të re, asaj të mbikëqyrjes dhe mirëmbajtjes së gjendjes shëndetësore, duke vazhduar terapinë sipas rekomandimeve të mjekëve, tashmë në intervale më të zgjatura kohore.
Por, në këtë rrugëtim, kam kuptuar edhe një herë se njeriu nuk e përballon i vetëm as sprovën më të rëndë të jetës. Pas çdo beteje që zhvillon brenda vetes, ka duar që të mbajnë, zemra që të duan dhe njerëz që nuk të lejojnë ta humbësh shpresën.
Këtë betejë nuk do të mund ta përballoja pa ndihmën, përkrahjen dhe solidaritetin tuaj, moral ashtu edhe material.
Prandaj, sot dua t’ju falënderoj me gjithë zemër e shpirt. Falënderoj të gjithë ata që i njoh, por edhe shumë e shumë të tjerë që ndoshta nuk pata fatin t’i njoh kurrë, por që në mënyra të ndryshme ishin pranë meje, me mua dhe për mua. Çdo mesazh, çdo telefonatë, çdo fjalë inkurajuese, çdo ndihmë dhe çdo gjest solidariteti kanë pasur një vlerë të jashtëzakonshme për mua. Asgjë nuk ishte e vogël, asgjë nuk ishte e parëndësishme. Secila prej tyre më dha forcë për të vazhduar.
Një falënderim i veçantë, më i thelli dhe më i përzemërti, i takon familjes sime.
Bashkëshortes sime, Sanies, vajzave të mia, Blinerës, Enkelës dhe Zanës, si dhe djalit tim, Ulpianit, të cilët e përjetuan çdo dhimbje, çdo shqetësim dhe çdo pasiguri bashkë me mua. Ata vuajtën aq shumë me mua dhe për mua. Ishin mbështetja ime në ditët më të vështira, forca ime kur ndihesha i lodhur dhe arsyeja ime për të mos u dorëzuar asnjëherë. Dashuria, durimi dhe përkushtimi i tyre kanë qenë një mbështetje që nuk matet me fjalë.
Mirënjohje të veçantë kam edhe për stafin mjekësor të Klinikës Onkologjike, në krye me Dr. Ilir Kurtishin, për profesionalizmin, kujdesin dhe përkushtimin e vazhdueshëm, si dhe për të gjithë ekipin e Klinikës së Radiokirurgjisë në Zagreb, të udhëhequr nga Prof. Dr. Hrvoje Kauçiq, të cilëve u jam mirënjohës për trajtimin, profesionalizmin dhe shpresën që më dhanë në këtë rrugëtim.
Sot, kur rezultatet po më japin arsye të forta për të shpresuar, ndiej se falënderimi është fjala më e vogël për gjithçka që keni bërë për mua. Ju më keni mbajtur kur kisha nevojë për forcë, më keni dhënë shpresë kur përpara kisha pasiguri dhe më keni dëshmuar se solidariteti, miqësia dhe dashuria njerëzore janë vlera që nuk kanë çmim.
Ju jam borxhli përjetë!
Nuk e di nëse jeta do të më japë mundësinë t’ua kthej të gjithëve këtë mirësi, por një gjë e di: asnjëherë nuk do ta harroj. Uroj që Zoti t’jua shpërblejë me shëndet, jetë të gjatë, lumturi dhe me çdo të mirë që mund të ketë kjo jetë.
Në ditët e mia më të vështira, ju më dhatë arsye të besoja në ditët më të mira.
Faleminderit që ishit me mua në betejën time.
Me respekt, dashuri dhe mirënjohje të thellë për të gjithë ju!
Gani Koci



