Orientimi perëndimor

19 janar 2018 | 10:52

Dr. Sabri Kiçmari

Me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit (2)

Skënderbeu nuk ka pasur asnjë dilemë në drejtimin që duhet të ketë politika e tij e jashtme. Ai që në hapat e parë të veprimit të tij, pas hyrjes në Krujë, shpallë vlera të tilla politike, që konsiderohen si vlera perëndimore të kohës. Në luftërat e tij kundër të dy sulltanëve ai ndjek një strategji interesante politike, mundohet të krijojë aleancë me udhëheqësit e popujve të shtypur të Evropës Juglindore dhe me botën e krishterë në Evropën Perëndimore. Por, orientimi i tij perëndimor nuk kalon pa probleme. Përkundër tentimeve të tij, udhëheqësit serbë nuk e kuptojnë dhe nuk bashkëpunojnë me të. E pengojnë të shkojë në betejë në Varna dhe në Fushë-Kosovë për ta mbështetur Huniadin. Huniadi i humb të dy betejat, madje arrestohet nga serbët.

Kastrioti gjatë periudhës së udhëheqjes së shtetit të Arbërit arriti të krijoj lidhje të ngushta me mbretëritë e Italisë në perëndim, aleancë lufte me Huniadin në veri dhe përgjithësisht raporte të mira me fqinjët e tij. Për Papa Calixtin III dhe Piun II ai u bë një figurë qendrore në luftën kundër turqve. Ideja për ta shpallur Mbret të Epirit dhe Maqedonisë,ia ushqeu atij dëshirën për avancim të statusit të tij shoqëror dhe shtetëror.

Kryengritja e Skënderbeut i afroi shqiptarët edhe më shumë me perëndimin. Mbreti Alfons dhe Selia e Shenjtë i hapën dyert e kancelarive perëndimore për ta. Kastrioti krijoi njohje, komunikim dhe shkëmbim misionarësh diplomatikë me një numër të madh vendesh në perëndim. Misionarët e tij diplomatikë pranoheshin me lehtësi në oborret dhe kancelaritë e shteteve kryesore të Evropës. Në kuadër të orientimit të tij perëndimor Kastrioti ndërmerr vizita diplomatike nëpër vendet e perëndimit në Raguzë, Venedik, Napoli dhe Romë. Ai shkon në Vatikan dhe mundohet të bind Papën se duhet shpëtuar Evropën nga Perandoria Osmane, se shpëtimi vjen përmes luftës së përbashkët. Me këtë ai u etablua në skenën politike dhe diplomatike evropiane.

Politikë realiste

Politika e jashtme e Skënderbeut mund të definohet si politikë realiste. Ai ishte i vetëdijshëm për fuqinë, mundësitë dhe burimet njerëzore e materiale të tij. Gjithë veprimet e tij në planin e jashtëm i akordon konform këtyre mundësive. Në rastet kur gjykon se interesat shtetërore gjenden në neutralitet, ai mban qëndrim neutral. Ai nënshkruan marrëveshje paqësore me Venedikun në vitin 1448, për t’i shkuar në ndihmë Huniadit, nënshkruan marrëveshje paqeje me Sulltanin në vitin 1461, për të shkuar për të ndihmuar Mbretin e Napolit. Kur e gjykon se është me interes të prishet marrëveshja e armëpushimit, e prish marrëveshjen me Sulltanin në vitin 1463.

Pra ndjek politikë realiste, të bazuar në interesat shtetërore të shqiptarëve: krijon aleanca, thyen marrëveshje dhe bënë mësymje ose tërheqje diplomatike sipas rastit dhe interesit të vendit. Skënderbeu synon të krijojë një siguri në luftë kundër Perandorisë Osmane. Ai negocion dhe bashkëpunon me diplomatë të vendeve të ndryshme për të arritur qëllimet e tij, për t’i mbrojtur interesat e vendit të tij.

I vetëdijshëm për fuqinë e limituar të tij, ai ju përmbahet në mënyrë të qartë marrëdhënieve të mira me Selinë e Shenjtë dhe Napolin. Me ta e përcjell miqësia e vazhdueshme. Me këtë lloj realizmi në politikën e tij të jashtme ai dëshmohet si një strateg dhe diplomat i zgjuar për kohën. Pa këtë aleancë ai sigurisht nuk do të kishte mundur t‘i rezistonte mësymjes osmane. Ai i përcjell po ashtu me realizëm dhe shumë vëmendje lëvizjet e dyshimta diplomatike të Venedikut në drejtim të Perandorisë Osmane.

Negociatat dhe marrëveshjet e shtetit të Arbërit

Një nga veçoritë që nuk është studiuar mjaftueshëm nga shkenca bashkëkohore është aftësia e jashtëzakonshme e Gjergj Kastriotit prej negociatori. Ai negocion me Huniadin, për të organizuar luftë të përbashkët kundër Perandorisë Osmane, nënshkruan marrëveshje me Venedikun, për të zgjidhur krizën e Kalasë së Donjës, shkon në misione negocimi në Itali për të zgjidhur kriza jashtë territoreve shqiptare, nënshkruan marrëveshje me Mbretërinë e Napolit dhe siguron ndihma dhe mbështetjeje nga Vatikani dhe Raguza si dhe nënshkruan marrëveshje me Sulltan Mehmetin II për të siguruar hapësirë kohore për të ndihmuar Napolin.

Marrëveshja me Venedikun (4 tetor 1448)

Rritja e furishme e pushtetit të Skënderbeut i shqetësoi drejtuesit politik të Republikës së Venedikut. Si rezultat erdhi deri te një konflikt i ashpër në mes të Arbërisë dhe Venedikut. U zhvilluan katër beteja të ashpra për kalanë e Dejës, Shkodrës, Drishtit dhe Oronik. Pas humbjeve që pësuan venedikasit ata vendosën të negociojnë. Për këtë punë dërgojnë në selinë e Skënderbeut përfaqësuesit e Senatit të Venedikut Paulo Loredano dhe Andrea Venieri për të biseduar për paqe në lidhje me Kështjellën e Dejës dhe të Shkodrës. Kastrioti pret me nderime dhe arrin marrëveshje për paqe me ta më 4 tetor 1448. Traktati i Paqes negociohet nga diplomati i Skënderbeut Gjergj Pelini nga Kosova dhe nënshkruhet nga Skënderbeu.

Sipas Marrëveshjes Venediku mund të mbajë Denjën, por Buzëgjarpri i takon Arbërit deri te lumi Drin dhe Skënderbeu do të pranojë privilegjet si blerjet pa dogana, 200 kuaj me kripë nga Durrësi dhe 1400 dukatë të paguara nga Venediku. Marrëveshja e paqes pritet shumë mirë nga Senati i Venedikut. Unanimisht senatorët e dekoruan Kastriotin me titullin e qytetarit dhe i japin statusin e familjes fisnike. Kjo është marrëveshja e parë paqësore e Skënderbeut. Ai sillet si diplomat i përgjegjshëm që pranon kompromise dhe arrin zgjidhje paqësore. Skënderbeut i konvenonte paqja me Venedikun sepse ishte në përgatitje për t’i shkuar në ndihmë Huniadit në betejën e Kosovës.

Marrëveshja me Napolin (26 mars 1451)

Një tjetër Marrëveshje e rëndësishme e Arbërisë në kohën e Skënderbeut është ajo e 26 marsit 1451, e nënshkruar në Gaeta (në Itali) në mes të përfaqësuesve të Mbretit Alfons dhe atyre të Lidhjes së Lezhës. Në emër të Skënderbeut Marrëveshjen e nënshkruajnë dy ambasadorët e tij Stefani, peshkop i Krujës, dhe Nikollë de Berguçi, kurse në emër të Mbretit Alfons Arnaldo Fonolleda. Sipas kësaj marrëveshjeje Arbëri dhe Napoli krijojnë një aleancë bashkëpunimi.

Skënderbeu do të ruante autonominë e tij dhe vetëqeverisjen, por do të hynte në një shkallë vasaliteti me Mbretin Alfons. Mbreti Alfons premton ndihma në municion, trupa, para dhe mallra. Mbreti Alfons e shpall Skënderbeun Gjeneral Kapiten të Mbretit të Aragonëve. Përderisa arkivat e Mbretërisë së Napolit dëshmojnë për pagesat që Alfonsi i ka bërë Skënderbeut, nuk ka asnjë dëshmi se Skënderbeu ka paguar te Mbretëria e Napolit. Alfonsi vazhdoi të respektojë privilegjet e Krujës dhe të paguajë Skënderbeun me një pagë vjetore prej 1500 dukatësh.

Marrëveshja e armëpushimit me Sulltanin (17 prill 1461)

Skënderbeu nënshkruan një marrëveshje paqësore trevjeçare me Sulltanin më 17 prill 1461 para se të nisej në gusht 1461 përmes Raguzës për në Napoli. Barleti përshkruan në mënyrë të detajuar negocimin e Skënderbeut me Sulltanin. Sulltani i dërgon një diplomat të tij përmes të cilit i kërkon të hyjnë në paqe mes vete.

Skënderbeu i përgjigjet se “nuk i kam hedhur poshtë asnjë herë kërkesat për paqe.” Skënderbeu e pranon vetëm njërin nga tri kushtet e propozuara nga Sulltani: të lejohen tregtarët të lëvizin nëpër territor në të dyja anët. Ai nuk pranon as lejimin e lëvizjes së trupave osmane nëpër territorin e tij për të mësyrë Evropën Perëndimore dhe as dhënien peng të djalit të tij Gjon Kastrioti II. Mehmeti e respekton vullnetin e shprehur për paqe të Skënderbeut, i pranon arsyet e tij të refuzimit të kërkesave të Sulltanit dhe i premton se do ta “ruajë të padhunuar paqen e shenjtë”. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-senatori amerikan, njëherësh veteran i Luftës së Dytë Botërore, Bob…