Osmani: Francës do t’ia largojmë çdo dyshim që mund ta ketë për liberalizimin e vizave

12 shkurt 2020 | 19:44

Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të ndërmarrin çdo veprim me të cilin do t’ia dëshmojnë botës se qytetarët tanë e meritojnë liberalizimin e vizave. Lufta kundër korrupsionit është prioritet mbi prioritetet i institucioneve të reja të Kosovës.

Këtë qëndrim ia shpalosi sot kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ambasadores së Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, gjatë takimit që e zhvilloi me të në Kuvendin e Kosovës, njofton kumtesa.

“Jemi të gatshëm të ndërmarrim veprime konkrete për ta fituar përkrahjen e Francës për procesin e liberalizimit të vizave”, tha Osmani.

“Prandaj, ne do t’i intensifikojmë kontaktet dhe vizitat e ndërsjella me përfaqësuesit e institucioneve të Francës për t’ua paraqitur atyre një pasqyrë reale të veprimeve që institucionet tona po i ndërmarrin për ta përshpejtuar këtë proces”, tha më tej kryekuvendarja Osmani, duke potencuar se ka kohë që Komisioni Europian e ka konfirmuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim.

Siç thuhet në njoftim, me ambasadoren Butel Osmani bisedoi edhe për shumë çështje të bashkëpunimit dypalësh. Bashkëbisedueset nënvizuan funksionimin e mirë të Grupit të Miqësisë Francë-Kosovë në Parlamentin dhe në Senatin e Francës, si dhe u pajtuan që një grup miqësie i tillë të krijohet edhe në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës.

Osmani dhe ambasadorja Butel diskutuan edhe për pjesëmarrjen e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë, në të cilën Kosova është anëtare vëzhguese. Sipas Osmani, Kosova synon që ta ndryshojë statusin dhe që së shpejti Kuvendi të bëhet anëtar i kësaj organizate me të drejta të plota.

Ambasadorja e Francës, Butel, shprehu kënaqësinë për zgjedhjen e Osmani në pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës, të parës grua në krye të institucionit më të lartë përfaqësues në vend dhe e ritheksoi përkushtimin vendit të saj për ta përkrahur Kosovën në të gjitha proceset politike.​ /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Juventusit do të vazhdojë deri në vitin 2030…