Osmani fton presidentin e Senegalit ta vizitojë Kosovën

22 shtator 2021 | 23:44

Në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar presidentin e Senegalit, Macky Sall.

Siç thekson komunikata Presidenciale, Osmani falënderoi presidentin Sall për angazhimin e Senegalit për njohjen dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Presidentja theksoi se Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e Senegalit dhe shprehu gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin.

“Vitin e ardhshëm, vendi juaj do ta marrë kryesimin e Unionit Afrikan”, tha presidentja Osmani.

“Kjo do të jetë edhe një mundësi më shumë për ta zgjeruar dialogun me vendet e kësaj organizate, për ta njohur më mirë vendin tonë dhe për t’i zgjeruar mundësitë e bashkëpunimit me këtë union”.

Ajo u shpreh e bindur se Senegali do të jetë një zë i fuqishëm dhe një urë lidhëse e fortë për raportet me vendet afrikane.

Presidentja theksoi rëndësinë e vizitave të ndërsjella, jo vetëm të krerëve institucionalë, por edhe të njerëzve të kulturës e të artit, të shëndetësisë e të arsimit. Ajo e ftoi presidentin e Senegalit që ta vizitojë Kosovën gjatë presidencës së Unionit Afrikan.

Po kështu, të dy presidentët u pajtuan që qeveritë e dy vendeve t’i vazhdojnë përpjekjet për nënshkrimin e katër marrëveshjeve të rëndësishme me Senegalin, të cilat do t’i përafrojnë edhe më shumë vendet tona.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryetar të Malishevës nga Nisma, Ekrem Kastrati, ka…