Osmani: Janë duke vazhduar diskutimet për planin e tranzicionit të zbatimit të rregullores së BQK-së

19 shkurt 2024 | 16:30

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se janë duke vazhduar diskutimet se cili do të jetë plan i tranzicionit të zbatimit të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e ku do të merren parasysh shqetësimet e të gjithëve.

Osmani ka thënë se nuk është e vërtetë që ka prishje të raporteve me ShBA-në për shkak të çështjes së dinarit.

Ajo i bëri komentet për medie, pasi së bashku me ambasadorin e ShBA-së, Jeffrey Hovenier, mori pjesë në shënimin e Ditës së Presidentit amerikan, në një manifestim që u mbajt pranë statujës së ish-presidentit Bill Clinton në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

Osmani ka thënë se ShBA-ja dhe aleatët e tjerë nuk janë duke kërkuar që të mos respektohet Kushtetuta, por, sipas saj, është duke kërkuar një plan tranzicioni për zbatimin e rregullores së BQK-së.

Ajo ka theksuar se si presidente e vendit vazhdimisht ka inkurajuar institucionet e vendit që bashkëpunimin ta kenë në maksimum me aleatët.

“ShBA dhe aleatët tjerë nuk po kërkojnë ta mbajmë dinarin, të jemi të qartë. Nuk do të duhej të krijohet një përshtypje që ndokush po kërkon prej nesh që të mos ta respektojmë Kushtetutën, sepse nuk është e vërtetë. Pra kemi një mirëkuptim të plotë dhe në fakt qëllim të përbashkët me aleatët tanë, në veçanti me ShBA-në që Kushtetuta jonë të respektohet në plotëni. E tëra që është duke u diskutuar është një plan tranzicioni për zbatimin e rregullores së BQK-së. Rregullorja mbetet ajo që është, askush nuk po kërkon që rregullorja të ndryshojë, e cila bie nën domenin e BQK-së, po institucionet që e zbatojnë atë. Institucionet ligjzbatuese sikurse edhe për çdo vendim tjetër ndërtojnë planë të zbatimit, edhe në këtë rast ende janë duke vazhduar diskutimet se cili do të jetë plan i tranzcionit të zbatimit që do të merr parasysh shqetësimet e të gjithëve”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se sikurse çdo herë tjetër bashkëpunimi me aleatët tanë, asnjëherë nuk e çon Kosovën në rrugën të gabuar. “Kështu që si presidente e vendit vazhdimisht i inkurajojë institucionet që bashkëpunimin ta kenë në maksimum, sepse sa herë veprojmë të bashkuar jemi shumë më të fortë, dhe të njëjtën gjë e kërkojë edhe tani, dhe jam e bindur se jemi në rrugë të drejtë. Ky plan i tranzicionit të arrihet me pajtimin e të gjithëve, dhe të jemi efektiv në tërësi, por edhe bashkë me aleatët tanë në zbatimin e Kushtetutës tonë në çdo cep të vendit”, ka thënë Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Brukseli ka njoftuar të hënën për një hetim që synon…