Osmani: Dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë me parime

26 maj 2020 | 16:45

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall.

Osmani ka thënë se e çmon lart kontributin e Finlandës në procesin e pavarësimit dhe të ndërtimit të shtetësisë së Kosovës.

“Me këtë rast, ajo e kujtoi kontributin e kryenegociatorit ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaarit, pastaj të të deleguarit special të udhëheqësit të OKB-së për Kosovën, Kai Eides etj. Me ambasadoren Stjernvall kryetarja Osmani diskutoi procesin e dialogut të ardhshëm, si dhe bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

Sipas këtij njoftimi, sa i takon dialogut, kryetarja Osmani e njoftoi ambasadoren Stjernvall me qëndrimin e saj për një proces të mirëfilltë të dialogut, i cili duhet të përmbyllet me njohje reciproke, si dhe me parime që respektojnë integritetin territorial të vendit tonë.

“Ne duam normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe jemi të gatshëm ta vazhdojmë dialogun, por kërkojmë që ai të jetë i strukturuar mirë dhe i bazuar në parime të qarta. Dialogu duhet ta përfillë kontekstin e raporteve mes dy vendeve tona”, u shpreh Osmani.

Në anën tjetër, ambasadorja Stjernvall shprehu gatishmërinë e Finlandës për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin me Republikën e Kosovës.

Ajo shprehu po kështu gatishmërinë e vendit të saj për t’i mbështetur institucionet në përgatitjen për procesin e dialogut.

Po ashtu, ambasadorja Stjernvall shprehu vullnetin e saj që ta vazhdojë bashkëpunimin e mirë me Kuvendin e Kosovës.

(A. M / Epoka e re)

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avokati i Popullit, në pajtim me mandatin e tij kushtetues…