Osmani kërkon që Kosova “urgjentisht” t’i thotë po gazit amerikan, deklaratat e Rizvanollit i quan “qesharake”

01 korrik 2026 | 22:24

Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta dëshmojë orientimin strategjik përmes zgjedhjes së gazit amerikan, derisa deklaratat e Ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për studime fizibiliteti për këtë projekt e kostot financiare për ndërtimin e infrastrukturës, i ka quajtur “qesharake”.

Këto komente, Osmani i bëri në emisionin Debat Plus që transmetohet në RTV Dukagjini, pasi që u pyet se cilat do të ishin kërkesat e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të bashkëqeverisur me Vetëvendosjen, ndër të cilat e përmendi edhe gazin amerikan.

“Qeveria e Kosovës përfundimisht ta dëshmojë orientimin e saj strategjik siç e kemi thënë edhe më herët nëpërmjet zgjedhjes së gazit amerikan. Sepse, kjo nuk është vetëm çështje ekonomike, nuk është vetëm çështje e kostos, është çështje e orientimit strategjik, është çështje e sigurisë nacionale, është çështje e asaj se me kë rreshtohesh dhe këtu ne nuk do të duhej të kishim… populli më pro amerikan në botë nuk do të duhej të kishte asnjë politikan të vetëm që jep pikëpyetje sado të vogla lidhur me këtë orientim strategjik, pra kjo duhet të garantohet”, tha Osmani.

Ish-Presidentja konsideron se Kosova duhet t’i kthejë “përgjigje urgjente” SHBA-ve.

Kur u pyet për deklaratat e Rizvanollit, Osmani i quajti “qesharake” dhe tha se ka pasur studim para fizibilitetit për këtë çështje.

“O leje se këto janë gjëra qesharake për besë. Ma së pari ka pas studim para fizibilitetit dhe ne nuk jemi duke thënë që duhet secila shtëpi të lidhet me gaz, pra këtu ka një dezinformatë të madhe. Ne jemi duke thënë që duhet të ndërtohen gypat e gazit në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e rrjetit rajonal të gazit që të dëshmojmë edhe ne, siç po dëshirojnë të dëshmojnë të gjitha shtetet e tjera në rajon, që orientimin tonë strategjik e kemi të lidhur një herë e përgjithmonë me SHBA-të që ta ulim varësinë nga importi, i cili e ka prek në xhep qytetarin e Kosovës”, shtoi ajo.

“Sepse, në momentin që ne krijojmë diversifikim, pra përveç që varemi nga thëngjilli dhe nga importi, ne ta krijojmë një diversifikim, që nënkupton ke edhe burime të tjera të energjisë, kjo nuk nënkupton që rritet çmimi, kjo është e kundërta. Sepse, qytetarëve po iu rritet çmimi për shkak se ne po duhet që vazhdimisht me ble rrymë dhe kur ti nuk e di as prej kujt e blen automatikisht të çon mulli në ujë të tjetër kujt”.

Sipas Osmanit, në qoftë se ekziston një shtet në hartën, në krejt globin, që nuk do të duhej të vënte asnjë pikëpyetje të vetme rreth orientimit të saj strategjik “ajo është Kosova dhe kjo duhet të jetë çështje urgjente, por ka edhe çështje të tjera”.

“Në rast se Lëvizja Vetëvendosje i thotë jo gazit amerikan LDK-ja nuk do të jetë pjesë e asaj qeverisje?”, ishte pyetja që ia shtroi moderatori Ermal Panduri.

Osmani u përgjigj duke thënë se kjo duhet “patjetër që të plotësohet në mënyrë që edhe të vazhdojmë të flasim për temat të tjera”. “Ne duhet të kemi pajtim me SHBA-të, marrëveshje me SHBA-të se si do të procedojmë për këtë temë para se të procedojmë në diskutimin e çfarëdo teme”. /voxkosova

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Varrimi i Lirim Ruhanit, i cili vdiq tragjikisht në Liqenin…