Osmani: Kuvendi do t’i ketë 14 komisione parlamentare

06 shkurt 2020 | 12:17

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani pas takimit të parë me Kryesinë e Kuvendit, ka bërë me dije se janë pajtuar që legjislativi t’i ketë 14 komisione parlamentare që do t’i mbikëqyrin 15 ministritë e qeverisë Kurti.

“Ne kemi një rregullore të Kuvendit që parasheh 16 komisione, që janë ndarë në përputhje me ndarjen e ministrive. Meqenëse kemi një zvogëlim të numrit të ministrive, është dashtë që edhe komisionet të përshtaten. U pajtuam që kemi 14 komisione që do të mbikëqyrin ministritë. U pajtuam edhe që në mbledhjen e radhës që mbahet të hënën ta votojmë edhe formulën e ndarjes së komisioneve, sepse do të presim zëvendësimin e disa deputetëve. Katër grupe parlamentare presin që të zëvendësohen deputetët e rijnë”, ka deklaruar Osmani pas mbledhjes së Kryesisë.

Më tutje, Osmani ka thënë se janë dakorduar që çdo të hënë të mbajnë mbledhje të Kryesisë, në mënyrë që çdo të enjte të mbahen seanca plenare.

“Sa përket buxhetit neve na është dërguar një letër nga ana e thesarit brenda Ministrisë së Financave për të na njoftuar se së shpejti do të kemi kërkesën për zgjatje buxhetore qoftë buxhetin në tërësi. Shpresoj që deri të hënën ta kemi këtë kërkesë specifike nga ana e Qeverisë, që në seancën e ardhshme që shpresoj të jetë të enjten që vjen do ta trajtojmë vetëm kërkesën për zgjatje buxhetore për muajin mars, apo buxhetin në tërësi, do të varet nga vendimi i Qeverisë që merret këto dy ditë”, është shprehur Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tregu i tabletëve vazhdon të humbasë terren, pasi viti 2019…