Osmani: Liria nuk është e plotë pa drejtësi për viktimat

17 tetor 2022 | 13:25

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të hënën në takim një delegacion të Rrjetit Global të Viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës nga Ukraina dhe Kolumbia.

Në takim me këtë delegacion, presidentja Osmani ka theksuar se historia më e re e Kosovës bart në vete rrëfimin e trishtë të mbi 20 mijë grave të dhunuara gjatë luftës së vitit 1999 nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

Në këtë kontekst, Osmani ka përmendur guximin e ish-deputetes Vasfije Krasniqi, e cila tri vjet më parë dëshmoi në Kongresin Amerikan për dhunimet e kryera nga forcat gjenocidale serbe, duke kërkuar drejtësi.

Presidentja Osmani ka thënë se liria e fituar nuk është e plotë pa drejtësi për viktimat dhe dënim për autorët.

Ajo e ka njoftuar delegacionin nga Ukraina dhe Kolumbia se me propozimin e saj, 14 prilli në Kosovë shënohet si dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, duke rikonfirmuar se si presidente e vendit do të jetë zëri i këtyre grave çdo ditë.

Presidentja Osmani e ka njoftuar delegacionin se në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore, me të cilat personave të dhunuar gjatë luftës u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale, me të cilën gjë u mundësohet pensioni ligjor.

Sipas  Osmaniit, përvoja e Kosovës mund ta ndihmojë Ukrainën në trajtimin e të të mbijetuarve të dhunës seksuale.

Në këtë drejtim, presidentja Osmani ka përsëritur se populli i Kosovës është në krah të popullit ukrainas dhe se do të vazhdojë mbështetjen ndaj tij me të gjitha mundësitë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Meghan Markle dhe Princi Harry duket se janë shumë afër…