Osmani në takimin e liderëve të vendeve të BE-së dhe BP-së kërkon liberalizimin e vizave

23 qershor 2022 | 12:48

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur sot fjalim në takimin e liderëve të vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, ku ka theksuar se kontinenti ynë është në një gjendje të jashtëzakonshme, kështu që nuk do të humbas shumë kohë për të arritur te pika kryesore.

“Ukraina është nën rrethim, me vlerat, liritë dhe mënyrën e saj të jetesës nën sulm. Ky është një sulm edhe ndaj nesh. Dhe nëse dikush mendon se paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm në Evropë është i mundur pa Ballkanin Perëndimor të integruar në strukturat euroatlantike, më duhet t’u them, si dikush që e ka përjetuar anën më të errët të luftës dhe shkatërrimit, se kjo nuk është e mundur. Nuk kam ardhur këtu për deklarata boshe politike, por me qëllimet më të mira për të folur për pasojat për të gjithë kontinentin tonë poqëse integrimi i Ballkanit Perëndimor do të vonohej më tej”, ka thënë Osmani.
Ajo ka theksuar se ka shumë dimensione të asaj që po ndodh në Ukrainë që ndryshojnë nga rasti i Kosovës.

“Në fund të fundit, mendoj se janë dy gjëra që vërtet nxjerrin në pah ngjashmëritë e përvojave tona. Së pari dhe më kryesorja është vuajtja e jashtëzakonshme njerëzore, përballë një lufte brutale gjenocidale kundër një populli liridashës. Dhe e dyta është mbështetja nga bashkësia ndërkombëtare. Uniteti juaj sot më kujton vendosmërinë e komunitetit ndërkombëtar për të ardhur në shpëtimin tonë në vitin 1999. Populli i Kosovës e di se si është të luftosh edhe kur fitorja mund të duket e pamundur, ndaj për këtë arsye ne qëndrojmë me popullin e Ukrainës sot, si ndër vendet e para që u bashkuan me sanksione kundër Rusisë dhe ofruam mbështetjen tonë për refugjatët”.

“23- vjet pas luftës gjenocidale të Millosheviqit, Kosova është një demokraci dinamike dhe që kur institucionet tona të reja morën detyrën pranverën e kaluar, ne kemi forcuar sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike. Të dashur kolegë, politika fillon dhe mbaron tek njerëzit. Prandaj është jam e vendosur që jo vetëm ta përfaqësoj më së miri zërin e qytetarëve të mi këtu sot, por edhe të siguroj që ne ta përmirësojmë jetën e tyre për më mirë. Pavarësisht progresit të jashtëzakonshëm, populli i Kosovës dëshiron më shumë mundësi dhe përparim. Ata dëshirojnë një regjim pa viza, për të parë, ndjerë dhe përjetuar Evropën”, ka deklaruar presidentja Osmani.

Ajo ka folur edhe për rëndësinë e jashtëzakonshme të liberalizimit të vizave “me shpresën se këtë herë vërtetë, do të na dëgjoni”.

“Kjo thjesht ka shkuar shumë larg. Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej 4 vitesh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë. Ironia është që ne jemi këtu si anëtarë të barabartë të komunitetit ndërkombëtar, duke diskutuar agjendën evropiane, por sigurisht që unë ulem mes jush sot këtu si i vetmi person – i vetmi person – në këtë tryezë që duhet të marrë një vizë për të marrë pjesë në këtë samit. Për t’i vënë gjërat në perspektivë, ka liberalizim të vizave për vendet e largëta si Venezuela, por qytetarët e Kosovës që jetojnë në një distancë të shkurtër me makinë, që jetojnë në fqinjësinë tuaj, nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Kjo është një padrejtësi e madhe. Kosova ka bërë pjesën e saj, tani është radha juaj”, ka thënë Osmani.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka njoftuar se terminët e…