Osmani: Nisem drejt Brukselit me shpresë, por pa pritje të mëdha për vizat

22 qershor 2022 | 08:19

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë për mediumin holandez NRC, ku mes tjerash ka folur edhe për pjesëmarrjen e saj në Samitin e BE-së në Bruksel.

Me shpresën që kosovarëve do t’u hiqen vizat më në fund, Osmani ka thënë se në samitin e së enjtes, niset me shpresë, por pa pritje të mëdha.

“Unë shkoj gjithmonë atje me shpresë, por pa shumë pritshmëri. Le të shpresojmë se nuk do të jetë një tjetër zhgënjim”, ka thënë Presidentja Osmani për NRC, transmeton Gazeta Express.

Osmani ka theksuar se mungesa e liberalizimit të vizave për popullin e Kosovës është një padrejtësi e madhe.

“Qytetarët nga Ukraina, Gjeorgjia, vende të ndryshme të Amerikës Latine lejohen të udhëtojnë lirisht. Por unë – e vetmja – kam nevojë për vizë për të marrë pjesë në samitin në Bruksel”, thotë Osmani.

“Është një padrejtësi e madhe: diskriminim ndaj popullatës sonë. Ne jetojmë në një geto”, ka theksuar ajo.

“Ne kemi bërë detyrat tona të shtëpisë”, ka vazhduar ajo.

Presidentja u është referuar raporteve ndërkombëtare në të cilat Kosova ka rezultate të mira për zhvillimin demokratik, siç është liria e mediave dhe të drejtat e njeriut.

Osmani ka thënë se shpreson që realiteti i vitit 2022, në të cilin agresori rus pretendon marrjen e Ukrainës si pronë të saj, do ta bëjë të gjithë BE-në të kuptojë se nuk duhet të përkulet para pretendimeve të Serbisë ndaj Kosovës dhe mësymjeve së saj në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Vendet në BE duhet të ndalojnë së bërë lëshime për autokratët që promovojnë Putinin,” ka argumentar ajo.

Në intervistën e dhënë, Osmani ka shprehur besimin e saj se lufta në Ukrainë do të përfundojë dhe se vala e re zgjerimit të BE-së do ta përshijë Ukrainën, por edhe Kosovën. Ajo ka vlerësuar se kjo është me rëndësi jetike gjeostrategjike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se deputeti Haxhi…