Osmani përmbyll vizitën dyditore në Zvicër

04 mars 2021 | 17:04

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka përmbyllur vizitën dyditore në Zvicër, ku ka qëndruar me ftesë të Parlamentit Zviceran.

Përgjatë kësaj vizite, ajo është takuar me krerët e shtetit zviceranë, me të cilët ka diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet të të dy shteteve, ndihmën në fushën e zhvillimit dhe identifikimin e fushave të reja në sferën e bashkëpunimit bilateral.

Osmani ka falënderuar për mikpritjen dhe takimet përmbajtësore presidentin e Këshillit Kombëtar, Andreas Aebi, presidentin e Senatit Zviceran (Këshillit të Shteteve), Alex Kuprecht, zëvendëspresidentin dhe ministrin e punëve të jashtme, Ignazio Cassis, nënkryetaren e parë të Këshillit Nacional të Zvicrës, Irene Kalin, Grupin e Miqësisë Kosovë-Zvicër dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë.

Në këto takime është diskutuar mundësia për mbështetjen e sektorit të shëndetësisë nga ana e shtetit zviceran. Autoritetet shtetërore të Zvicrës, kanë shfaqur gatishmërinë për ta mbështetur rrugën e Kosovës për në BE, sikurse edhe anëtarësimin në organizata të ndryshme ndërkombëtare, një numër i madh i të cilave e kanë selinë në Zvicër.

“Sundimi i ligjit, demokratizimi, siguria dhe transparenca e llogaridhënia mbeten objektiva të përbashkëta dhe aleatët tanë do vazhdojnë të jenë pranë nesh në promovimin e tyre ashtu siç kanë qenë edhe deri më tani. Gjersa, në fushën e zhvillimit, theksova që e ardhmja e Kosovës do të orientohet kah investimi në kapital njerëzor e në këtë drejtim bazë e çdo suksesi është investimi në arsim, në të cilin drejtim mora përkushtimin e partnerëve tanë për mbështetje në drejtim të prezantimit të sistemit dual të edukimit në vendin tonë”, ka thënë Osmani.

Në takimet me krerët shtetërorë të Zvicrës Osmani ka diskutuar edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, në kontekst të të cilit është përmendur dialogu Kosovë-Serbi.

Ajo ka theksuar se epilogu i këtij dialogu duhet të jetë njohja e ndërsjellë me kufijtë aktual të Republikës së Kosovës.

Po ashtu është diskutuar edhe mundësia e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe është paralajmëruar fillimi i një projekti për shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e parlamentarizmit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
05.03.2021 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Prishtinë 1.…