Osmani: Përvoja e Kroacisë, shtysë për procesin e integrimit

06 shkurt 2020 | 20:17

Sot, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani priti ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić, me të cilën diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, si dhe rolin që Kroacia, si vend i cili e njeh mirë Kosovën, mund të luajë në procesin e integrimit më të shpejtë të vendit tonë në strukturat e Bashkimit Evropian.

“Kroacia si vend i cili e ka presidencën Këshillit të Bashkimit Evropian, si dhe vend mik, e kupton më së miri aspiratën e popullit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, tha dr. Osmani.

Sipas saj, kryesimi i Këshillit nga anëtari më i ri i Bashkimit Evropian, mund të shërbejë si shtytje për t’i përqendruar energjitë tona në përshpejtimin e procesit të integrimit.

“Përvoja kroate mund t’i shërbejë popullit dhe institucioneve të Kosovës, për ta realizuar më shpejtë aspiratën e tij për integrim”, tha kryekuvendarja Osmani.

Edhe ambasadorja Danijela Barišić shprehu gatishmërinë e vendit të saj që ta thellojë edhe më tej bashkëpunimin me Kuvendin e Kosovës dhe institucionet e tjera, për ta lehtësuar integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian. Sipas saj, për Presidencën e Kroacisë është shumë i rëndësishëm zhvillimi i politikave që prekin regjionin.

Ajo e siguroi Osmani se vendi i saj do ta ndihmojë Kosovën edhe në të ardhmen në të gjitha aspektet, përfshirë edhe procesin e përafrimit me Bashkimin Evropian, si dhe të integrimit në të.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të enjten në…