Osmani: Thaçin nuk e ndalin rezolutat, duhen protesta masive
Deputetja Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka ftuar protestë masive më 7 shtator.
Thotë se vetëm kështu i dëshmohet presidentit Hashim Thaçi se Kosova është e pandashme.
Nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në “Facebook” deputetja e LDK-së ka bërë me dije se e përkrah rezolutën kundër korrigjimit të kufijve, por se kjo nuk mjafton për Thaçin.
Postimi i plotë i saj:
Rezoluta e Kuvendit të Kosovës do të jetë e rëndësishme, por me gjasë e pamjaftueshme, për të ndalur aventurat e rrezikshme të Thaçit në dëm të sovranitetit të vendit. Thaçi mbanë titullin e kampionit për shkelje të Rezolutave të Kuvendit.
Prandaj, më 7 shtator, kur Thaçi udhëton për Bruksel për të bërë edhe një hap tutje drejt ndarjes së Kosovës, ne qytetarët e Kosovës, do të duhej të protestonim paqësisht, por masovikisht, për t’i dëshmuar atij dhe kujtdo tjetër që Kosova është një dhe e pandashme.