OVL e UÇK-së reagon për fotografinë e Bashës: U përdhos Deklarata e Pavarësisë së Kosovës
Ish-deputetja e Vetëvendosjes, Adelina Grainca, ka publikuar sot një fotografi nga zyra e ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Dimal Basha, ku vëmendje ka marrë mënyra se si prapa divanit shihet e vendosur në tokë Deklarata e Pavarësisë së Kosovës.
Pas publikimit të fotografisë, ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), duke e cilësuar këtë veprim si “rrëfim politik” dhe duke pretenduar se Deklarata e Pavarësisë është “përdhosur” nga ministri Basha.
Në reagimin e tyre, OVL-UÇK ka drejtuar kritika edhe ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke i akuzuar për qëndrime ndaj vlerave të luftës dhe themeleve të shtetit.
OVL-UÇK ka kërkuar gjithashtu që Prokuroria e Shtetit të nisë hetime për rastin, ndërsa ka kërkuar sqarime nga ministri Basha lidhur me rrethanat e fotografisë dhe trajtimin e dokumenteve shtetërore.



