OVLUÇK-ja: Të hetohen rastet e manipulimit me listat e veteranëve

20 prill 2018 | 12:09

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së përmes një komunikate për medie kanë inkurajuar organet e drejtësisë për vënien para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë shkelur ligjin, që kanë kryer vepra penale dhe kanë manipuluar me listat e veteranëve.

“OVLUÇK është kundër fushatës së mediave dhe individëve të caktuar, që përmes rasteve individuale të njollosin të gjithë veteranët e luftës së UÇK-së. Përgjegjësia penale është individuale dhe të gjithë ata që kanë kryer vepra duhet të përgjigjen para ligjit, pavarësisht se çfarë kategorie të qytetarëve i takojnë”, është thënë në reagimin e OVLUÇK-së.

OVLUÇK-ja ka shprehur gatishmërinë që të bashkëpunojë me prokurorinë e shtetit, për të hetuar dhe zbardhur të gjitha rastet e manipulimit me listat e veteranëve.

“Mirëpo, është kundër dhe dënon fushatën mediale dhe fyerjet që i bëhen organizatës dhe kryetarit të saj Hysni Gucati. Kryetari Gucati është njeri i dëshmuar në luftë, në të cilën dha edhe gjymtyrët e tij. Ai funksionin e tij si kryetar i Organizatës së Veteranëve e ushtron në bazë të zgjedhjes demokratike, nga një kuvend i përgjithshëm me delegatë të të gjitha degëve. Fyerjet dhe cilësimet nga ana e Vehbi Kajtazit, se drejtuesit e OVLUÇK-së që nga paslufta e deri te Hysni Gucati janë idiotë, për organizatën janë të papranueshme e të dënueshme dhe kërkojmë nga mediat dhe pronarët e tyre që të përmbahen nga kualifikimet e ulëta të tyre, sepse këta në rend të parë janë në kundërshtim me etikën profesionale dhe sjelljet normale të një qytetari të Kosovës”, është thënë në reagimin e OVLUÇK-së.

Më tej në këtë reagim thuhet se kryetari i OVLUÇK-së është deklaruar se nuk u beson organeve të drejtësisë së EULEX-it.

“Ky mosbesim ka ardhur pas ngritjes së shumë akuzave ndaj pjesëtarëve të UÇK-së që nuk janë provuar para gjykatave të Kosovës, dhe vet deklaratat e ish gjyqtarëve të EULEX-it siç ishte Malcolm, i cili zbuloj para opinionit skenarët e prokurorëve dhe gjyqtarëve të EULEX-it për të dënuar e komprometuar ushtarët e UÇK-së. Kurse, sa i përket ngritjes së akuzës së fundit, ai thërret opinionin që të jenë më të arsyeshëm dhe kjo gjë t’i lihet organeve kompetente e jo portaleve, të cilat siç duket nuk duan që të zbardhet dhe fitoj drejtësia por vetëm se kush më tepër përfiton klikime përmes përhapjes së shpifjeve, trillimeve dhe të pavërtetave”, është thënë në reagimin e OVLUÇK-së.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sa herë ju ka ndodhur që të vdisni urie por…