OVLUÇK-ja thërret të akuzuarit të mos bashkëpunojnë me Gjykatën Speciale

26 dhjetor 2017 | 00:18

Numri dy i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Migjen Shala, njëherësh anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës ka bërë dy thirrje përmes “Interaktivit” në KTV.

Deputetët i ka ftuar që të zhbëjnë Specialen, e siç ka thënë ai mos t’ia lënë historisë këtë gabim. E të akuzuarit eventualë nga Gjykata Speciale me seli në Hagë i ka ftuar që të mos i përgjigjen asaj.

“I bëjmë thirrje gjithë të akuzuarve që të mos bashkëpunojë me Gjykatën Speciale”, ka thënë Shala.

“Ne mbesim kundër kësaj Gjykate Speciale. Jemi për themelimin e Gjykatës Speciale nga institucionet vendore”, ka thënë ai.

Shala ka treguar se nga Shoqatat janë mbledhur më shumë se 15 mijë e 800 nënshkrime.

“E kemi proceduar në sekretari të Kuvendit dhe presim që të ketë përgjigjen adekuate nga deputetët pas festave të fundvitit. Ne mendojmë se kanë bërë gabim ata që e kanë votuar, dhe presim që ta përmirësojnë atë gabim. Nuk mund t’ia lëmë historisë e gjeneratave të reja këtë gabim”, ka thënë Shala.

Ai ka thënë se në vend mund të ketë destabilitet nëse Gjykata Speciale nuk zhbëhet prej deputetëve në Kuvend.

“Me keqardhje më duhet të them se mund të ketë destabilizim. Jemi për mos me pas. Jemi për gjykatë vendore. Por kjo krejt varet nga deputetët e Kosovës. Shpresoj se kanë vetëdije dhe të mos vijmë në atë gjendje”, ka thënë ai më tej.

Shala ka mohuar të ketë pas shtyrje politike për të marrë iniciativën për mbledhjen e nënshkrimeve, ani pse krerët e lartë të shtetit kanë dalë kohëve të fundit kundër Gjykatës Speciale.

“Nuk jemi ndikuar nga askush, jemi ndikuar nga zëri i luftëtarëve”, ka thënë ai.

Shala ka thënë se deri te ideja erdhi kur e panë dështimet dhe skandalet në Gjykatat e EULEX-it.

Shala ka komentuar edhe deklaratën e Delawies dhe anëtarëve tjerë të korit diplomatikë miq të Kosovës, që kanë thënë se Kosova mund të izolohet në rast se e miraton ligjin për zhbërjen e Speciales.

“Nuk besojmë që është ashtu. Kosova veç është e izoluar, ushtria nuk po vihet në rend dite, liberalizimi i vizave nuk po vjen. Kështu ashtu ne jemi të mbyllur”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kamerat e telefonave të mençur po bëhen çdo ditë më…