Pa gradime, zyrtarë policorë mbajnë pozita në të cilat s’janë emëruar

28 prill 2025 | 11:28

Prej më shumë se pesë vjetësh, procesi i gradimeve në Policinë e Kosovës është bllokuar. Edhe pse ka vende të lira në pozita kyç, ato aktualisht mbulohen nga zyrtarë që nuk e kanë gradën që parashihet për atë pozitë.

Kjo gjë ndikon drejtpërdrejt në zbatimin e hierarkisë dhe në qartësinë komanduese brenda institucionit, sipas ish-drejtorit të këtij institucioni, Reshat Maliqi.

“Atje janë disa këshilltarë kolonelë të cilët mbajnë pozitë pa u emëruar, e më herët kanë qenë drejtorë rajonalë apo diçka e ngjashme. E tash mbajnë pozitën e këshilltarit dhe askush nuk interesohet as se a vijnë në punë, a punojnë. Janë pa asnjë përgjegjësi, e nuk e këshillojnë askënd”, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, Reshat Maliqi, i cili sapo është pensionuar.

Raporti i fundit i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), ka konstatuar se 185 zyrtarë policorë janë sistemuar në pozita për të cilat nuk e kanë gradën përkatëse. Një vit më parë kishin qenë 39 sosh.

Por, Policia e Kosovës, ka insistuar se kjo situatë nuk ka ndikuar në punën e këtij institucioni.

“Këto pozita janë mbuluar me zyrtarë me nga një gradë më të ulët, konform Udhëzimit Administrativ të marrëdhënies së punës në PK”, ka thënë zyra për media e Policisë së Kosovës.

Vetë ky institucion ka thënë se një nga arsyet kryesore të mungesës së gradimeve ka qenë situata e sigurisë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Megjithatë, në një përgjigje për “REL”-in, Policia e Kosovës, ka thënë se është e gatshme të rifillojë procesin e gradimit, por shton se “pas rekomandimit të dhënë nga Inspektorati i Policisë së Kosovës, ne jemi në pritje të miratimit të Udhëzimit Administrativ për procedurën e gradimit për zyrtarët policorë”.

Megjithatë, kjo situatë nuk sqarohet kaq thjesht nga të gjithë. Një pjesëtar i Policisë së Kosovës, që kërkoi të mbetet anonim, thotë se procesi është i padrejtë dhe me ndikime politike.

“Më është bërë shumë e padrejtë, pasi atëherë konkurrova për gradën ‘major’. Nuk e di pse nuk jam zgjedhur, më duket se nuk i kam pëlqyer ndoshta dikujt”, ka thënë ai për “REL”-in, duke treguar se për këtë çështje është në proces gjyqësor.

Ai ka shtuar se e njëjta gjë u ka ndodhur edhe disa kolegëve të tij.

“Dikujt i shkelen të drejtat, e dikush ndoshta po avancohet e nuk e meriton”, ka thënë ë ai.

Me situatë të ngjashme, ka thënë se është përballur edhe ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi.

“Unë kam qenë bartës i pozitës së drejtorit. Por, kur kam qenë drejtor nuk ka qenë askush i politikës, mirëpo edhe në atë kohë nuk iu ka pëlqyer qëndrimi im dhe për një periudhë të shkurtë më kanë thënë që nuk je më aty. Më kanë shkarkuar brenda natës”, ka thënë ë Maliqi.

Edhe ish-drejtori tjetër i Policisë, tash deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj është shprehur kritik për vonesat në gradime.

“Kjo situatë na sjell te pyetja pse dështoi (konkursi)? Kush e kërkoi? Pse nuk u ndëshkua askush? Kjo situatë nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Dhe mendoj se kjo ka ndodhur për shkak të ndikimeve që ka bërë ministri (në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla)”, ka thënë Qalaj.

Drejtoria e përgjithshme e Policisë së Kosovës i ka mohuar këto pretendime, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për asnjë lloj ndikimi nga politika, por se qëllimi është që gradimet të zhvillohen mbi bazën e meritës dhe në përputhje me nevojat operative.

Konkursi për të cilin ka aluduar Qalaj, ishte hapur në fillim të vitit të kaluar për 355 vende të lira për gradën “rreshter”.

Por, ky proces është anuluar, pasi që sipas një raporti të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), gjatë konkursit ishin bërë lëshime.

Raporti i IPK-së konstatonte se nuk janë bërë verifikimet e nevojshme mbi të kaluarën e kandidatëve, për të garantuar që ata përmbushnin kriteret lidhur me historikun disiplinor e penal.

Për më tepër, në raport janë evidentuar edhe mospërputhje të tjera me udhëzimet administrative, si lejimi i aplikimit nga pjesëtarë të gjeneratës së 54-të të cilët nuk kishin përmbushur kriterin e qëndrimit dyvjeçar në gradën “polic i lartë”.

Sipas burimeve të “REL”-it brenda Policisë së Kosovës, kërkesa më e madhe është pikërisht për gradën e rreshterit, për të cilën ekzistojnë mbi 300 pozita të lira.

Herën e fundit kur janë bërë gradime ishte në vitin 2020, kur ishin emëruar 131 togerë. Një vit më parë, më 2019, ishin graduar nëntë majorë dhe 64 kapitenë.

Policia e Kosovës aktualisht ka mbi 10 000 punonjës aktivë, duke përfshirë zyrtarët policorë dhe personelin mbështetës.

Në gusht të vitit 2024, 448 kadetë të gjeneratës së 60-të përfunduan trajnimin dhe iu bashkuan këtij institucioni. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një violinë nga filmi “Titaniku” i vitit 1997 është shitur…