“Pa Kosovë e Çamëri, s’ka Shqipëri” – Rama poston videon e protestuesit: Ky “patriot”, ka qenë i dënuar për trafik droge në Belgjikë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestën e zhvilluar sot në Tiranë, duke thënë se disa persona për interesa të caktuara, po përpiqen të përfitojnë në kurriz të protestuesve të sinqertë.
Duke postuar videon e një personi që pretendonte se ishte me origjinë nga Çamëria, teksa fliste në protestë për ‘shitjen e Shqipërisë’, kryeministri Rama ka shkruar se ky person ka qenë 3 herë i dënuar në Belgjikë për trafik droge.
“Boll kemi dalë për këta politikanë që na kanë shkatërruar dhe që pasurohen mbi kurrizin tonë. Unë jam një djalë nga Elbasani, me origjinë nga babai nga Çamëria dhe me origjinë nga mami, nga Kosova. Pa Kosovë dhe pa Çamëri nuk ka Shqipëri o Edi Rama, o Sali Berisha. Mos ju zëntë viti, sepse ju e keni shkatërruar Shqipërinë, e keni përçarë. Prindërit po lotojnë”, tha mes të tjerash protestuesi (videon e të cilit postoi Rama) gjatë fjalës së tij në protestë.
Më tej Rama, duke e quajtur protestuesin një patriot të shtirur me emrin e Çamërisë, shkruan se ai është urdhëruar nga të tjerë që të marrë mikrofonin në protestë dhe të flasë kundër Qeverisë.
Sipas Ramës, “këta janë fytyra e errësirës, prej ku ushqehet kjo shfaqje e Shqipërisë më të vjetër, që kujton se gjeti ilaçin magjik për t’u bërë Shqipëri e re”.
“Ky patriot i shtirur me emrin e Çamërisë dhe me atë zemër groteske në bluzën e porositur për këtë ditë të paharrueshme shërbimi ndaj atyre që e kanë urdhëruar të kapi mikrofonin, kërkon të përmbysë qeverinë e Shqipërisë dhe të shpëtojë atdheun e nxjerrë në shitje nga unë, pasi e ka nderuar emrin shqiptar dhe e ka lartësuar flamurin kombëtar me tre vepra madhore, të cilat protestuesit e sinqertë nuk do të guxonin kurrë t’i imagjinonin. Është dënuar në Belgjikë tre herë si trafikant droge!
Dhe thonë pastaj mos u merr me protestuesit! Këta që dalin e do dalin në këtë faqe, nuk kanë asnjë lidhje me protestuesit e sinqertë që nuk kapin mikrofonin po thjesht kërkojnë të shihen e të respektohen në shqetësimet e tyre. Këta janë fytyra e errësirës, prej ku ushqehet kjo shfaqje e Shqipërisë më të vjetër, që kujton se gjeti ilaçin magjik për t’u bërë Shqipëri e re”, shkruan Rama në postimin e tij krahas videos.



