Pa një titullar të rëndësishëm dhe me një dilemë në sulm, ja si rreshtohet Shqipëria
Kuqezinjtë luajnë një ndeshje me shumë rëndësi në Ligën e Kombeve, me synimin për të mbyllur me sukses grupin C1.
Ramadani mungon për shkak kartonësh, Muçi është në dyshim, ndërsa Juljan Shehu dhe Hoxha shihen si alternativa për formacionin titullar.
Shqipëria zbret sot në fushë për një nga sfidat më të rëndësishme të këtij edicioni të Ligës së Kombeve.
Përballë është Bjellorusia, në ndeshjen e fundit të grupit C1, ku skuadra e drejtuar nga Rolando Maran kërkon të konfirmojë ecurinë pozitive dhe të përfundojë misionin e nisur në këtë kompeticion.
Kuqezinjtë vijnë në këtë takim në krye të grupit me 9 pikë dhe tashmë çdo detaj merr rëndësi të veçantë.
Përballja me Bjellorusinë kërkon përqendrim maksimal, pasi objektivi është që Shqipëria të mos e lërë në dorën e të tjerëve fatin e saj në këtë garë.
Për këtë takim, Maran duhet të bëjë edhe disa ndryshime të detyruara në formacion. Ylber Ramadani mungon për shkak të kartonëve, duke i hapur rrugën Juljan Shehut për të marrë një vend në qendër të mesfushës, përkrah Kristjan Asllanit. Një dyshe që pritet të ketë përgjegjësi të rëndësishme në organizimin e lojës dhe mbrojtjen e ekuilibrit të skuadrës.
Një tjetër pikëpyetje lidhet me Ernest Muçin, i cili ka probleme fizike dhe mbetet në dyshim për këtë përballje. Nëse sulmuesi nuk do të jetë në gjendjen e duhur, Hoxha pritet të marrë një rol titullari në repartin ofensiv, përkrah Laçit, me Rey Manajn në majën e sulmit, raporton TCh.
Në bazë të këtyre zhvillimeve, Shqipëria pritet të rreshtohet me skemën 3-4-2-1. Berisha në portë, ndërsa treshja e mbrojtjes përbëhet nga Ismajli, Gjimshiti dhe Mitaj. Hysaj në krahun e majtë dhe Pilo në të djathtin do të kenë detyra të dyfishta, si në mbrojtje, ashtu edhe në mbështetjen e sulmit. Në qendër të mesfushës pritet të jenë Shehu dhe Asllani, ndërsa Hoxha dhe Laçi do të luajnë pas Manajt, që do të jetë pika e referimit në repartin ofensiv.
Një Shqipëri me disa ndryshime, por me të njëjtin objektiv: të japë përgjigjen e duhur në një mbrëmje vendimtare për rrugëtimin në Ligën e Kombeve. Ndeshja Shqipëri–Bjellorusi luhet sot në orën 18:00 dhe transmetohet drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në Digitalb.



