Paçarizi: Kurti mund ta kapitalizojë momentin

06 qershor 2023 | 16:19

Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se bashkësia ndërkombëtare, që nga fillimi i krizës në veri të Kosovës, i ka bërë të qartë hapat që duhet të ndërmerren për uljen e tensioneve.

Këta hapa, sipas tij, i ka formuluar më pas përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili ka kërkuar nga Prishtina që të shpallë zgjedhje të reja në komunat në veri, ndërsa nga Beogradi të sigurojë pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në këto zgjedhje.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – dhe Beogradi zyrtar, i cili e kontrollon këtë parti, e kanë kushtëzuar pjesëmarrjen në zgjedhje me largimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i vendit dhe me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Paçarizi vlerëson se kryeministri Kurti duhet të heqë dorë nga veprimet e pakoordinuara me BE-në dhe SHBA-në, ndërsa Lista Serbe, sipas tij, duhet të heqë dorë nga “kushtet absurde”.

Asociacioni, sipas tij, nuk mund të formohet pa integrimin e serbëve në institucione – së paku pa pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.

Këmbëngulja e Listës Serbe tek Asociacioni tregon se Beogradi nuk e do vërtet formimin e tij, thotë Paçarizi.

“…prandaj, zotëri Kurti e ka këtu një kartë të sigurt për ta çuar përpara Marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit [për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë], pasi që mungon gatishmëria e Beogradit. Mendoj që zotëri Kurti duhet ta kapitalizojë… në kuptimin që Beogradi të marrë përsipër barrën e përgjegjësisë për moszbatimin e marrëveshjes dhe jo që Kurti të shndërrohet në një problem dhe pengesë e identifikuar nga bashkësia ndërkombëtare”, thotë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, autoritetet e Kosovës dhe ato të Serbisë duhet t’i marrin seriozisht kërkesat e zyrtarëve perëndimorë dhe ta kuptojnë mirë situatën, e cila, mund të përkeqësohet edhe më tej. Një krizë e sigurisë, thotë Paçarizi, është e papranueshme për Perëndimin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Gabriel Escobar, i…