Pacolli: Kosova është e gatshme për dialog me Serbinë, por si dy shtete të pavarura

13 gusht 2019 | 17:48

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se Prishtina zyrtare është e gatshme të ulët në tavolinën e bisedimeve me Serbinë.

Kjo deklaratë e Pacollit ka ardhur pas kërkesës së vendeve të Quintit për vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Politika e jashtme e Kosovës ka qenë gjithmonë e koordinuar dhe në përputhje me pozicionin e partnerëve tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë që nga fillimi i viteve ’90-ta. Shtetësia jonë është e bazuar në orientimin tonë perëndimor dhe ne mirëpresim angazhimin e treguar nga të gjitha vendet e Quintit së bashku për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Kosova gjithmonë ka qëndruar e përkushtuar të vazhdojë dialogun dhe ne kemi qenë të gatshëm të rifillojmë bisedimet, por ishte Serbia që la karrigen e saj të zbrazët dhe provokoi incidente dhe agresion kundër Kosovës vazhdimisht”.

“Deklarata e Marko Gjuriqit sot dëshmon edhe një herë mungesën e vullnetit nga Serbia për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Kosova ka luftuar për 2 vjet një betejë diplomatike të paparë me Beogradin që diplomacia e ndyrë Serbe ka synuar të minojë shtetësinë e Kosovës ndërkombëtarisht. Tarifa ka qenë instrumenti sovran i Kosovës të reagojë ndaj këtij agresioni të provokuar nga Beogradi, dhe sot Serbia ende nuk tregon vullnet për t’i dhënë fund asaj. Ne jemi gati si gjithmonë për dialog, por kushtet janë të qarta si dy shtete të pavarura dhe sovrane që synojnë njohje reciproke dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, pas…