Pacolli tha se LV-ja e mbrojti Kosovën nga Thaçi, Veseli dhe Haradinaj, Çitaku: Marri e llojit të vet
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka komentuar deklaratën e ministres në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, e cila javën e kaluar në një emision televiziv ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje “e ka mbrojtur Kosovën” nga emra si Isa Mustafa, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli dhe vetë Çitaku.
“Prej Isa Mustafës, prej Hashim Thaçit, prej Ramush Haradinajt, prej Kadri Veselit, prej Vlora Çitakut. Mundesh me kanë luftëtarë e masandej në paqe me vjedh”, kishte deklaruar Pacolli në emision.
Videoja me këtë deklaratë është duke qarkulluar gjerësisht dhe po komentohet në rrjetet sociale.
Në një prononcim për “KlanKosova.tv”, Çitaku ka thënë se emri i saj nuk meriton të përmendet në të njëjtën listë me, siç i ka quajtur ajo, “heronjtë e gjallë” të Kosovës.
Madje, ish-deputetja e PDK-së e ka cilësuar deklaratën e Pacollit si “marri të llojit të vet”.
“Nuk e meritoj unë me qenë në një listë me Hashim Thaçin e Kadri Veselin dhe heronjtë e gjallë që kanë dhënë gjithçka nga vetja për lirinë dhe pavarësinë që kemi sot. As për së afërmi kontributi im dhe i të tjerëve nuk është afër tyre. Po besoj që Fitorja ka ba hajgare. Është marri e llojit të vet me menduar që Kosovën duhet me e mbrojtë prej atyre që kanë qenë në gjendje me vdek për këtë vend”, ka thënë Çitaku.



