Pak përfitime nga falja e borxheve

04 mars 2018 | 11:29

Nga kampanja për faljen e borxheve të qytetarëve dhe bizneseve u janë falur rreth 400 milionë euro nga Qeveria e Kosovës. Zyrtarët qeveritarë kishin planifikuar që t’u falnim rreth 680 milionë euro borxhe ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike.

Vetëm Administratë Tatimore e Kosovës (ATK), ngrohtorja “Termokos” edhe Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” u kanë falur konsumatorëve mbi 260 milionë euro, ndërsa kanë përfituar mbi 100 mijë persona.

Për faljen e borxheve, Qeveria e Kosovës pati marrë vendim në muajin shkurt të vitit 2015, kurse në muajin shtator të po atij viti, kishte miratuar edhe Ligjin për Faljen e Borxheve Publike dhe ka qenë në fuqi për dy vite deri në shtator të vitit 2017.

Ky Ligj mundësoi faljen e borxheve që kishin qytetarët dhe bizneset ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike deri më 31 dhjetor 2008. Kusht për përfitim nga kjo falje ishte pagesa e plotë apo lidhja e kontratave dy dhe tri vjeçare për persona fizikë dhe juridikë për pagesën e tyre që janë të akumuluara nga 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014, shkruan “Telegrafi”.

Borxhi grumbulluar deri në fund të vitit 2008 ishte rreth 680 milionë euro. Nga kjo shumë, 465 milionë euro apo 69 për qind janë borxhe ndaj ndërmarrjeve publike, 148 milionë euro apo 22 për qind janë borxhe të bizneseve aktive ndaj ATK-së dhe 57 milionë euro apo 9 për qind janë borxhe ndaj Doganës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti hidrometeorologjik i Kosovës (IHK),  ka njoftuar se sot do…