Pal Lekaj: Nga qeveria Kurti presim vetëm retorikë

14 prill 2021 | 12:52

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka kritikuar qeverinë Kurti për mungesë të vendimeve në këto tri javë të qeverisjes.

Ai ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se deri më tani kjo qeveri nuk ka bërë asnjë veprim në dobi të interesit qytetar.

Sipas Lekajt, të vetmin vendim që ka marrë kjo qeveri është karantinimi parcial i vendit. “Jemi dëshmitarë që deri më tani kjo qeveri nuk ka bërë asnjë veprim në dobi të interesit qytetar për çfarë e ka marrë besimin e qytetarëve. Të vetmin vendim që e ka marrë është karantinimi parcial, i cili u vërtetua që është i paefektshëm dhe që e dëmton edhe më shumë sektorin e gastronomisë”, ka thënë Lekaj.

Ai ka deklaruar se nuk ka ndonjë pritje të madhe nga qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti. Sipas Lekajt, prej kësaj qeverie mund të pritet vetëm retorikë boshe. “Nga kjo qeveri nuk presim ndonjë sukses madhor në qeverisje përveç retorikës boshe. Edhe në këto pak ditë qeverisjeje tanimë qytetarët veçse janë zhgënjyer me këtë qeveri, e cila nuk e ka prioritet luftimin e pandemisë dhe zhvillimin ekonomik, por pjesëmarrjen në zgjedhjet në Shqipëri”, ka thënë Lekaj.

Zyrtari i lartë i AAK-së ka folur edhe për opozitarizmin që do ta bëjë AAK-ja në këtë mandat. Sipas tij, AAK-ja parësore do ta ketë mbrojtjen e interesit qytetar.

“Aleanca do të jetë një zë i fuqishëm për mbrojtje të interesit qytetar. Pavarësisht prej pozicionit, gjithmonë kemi treguar se jemi konsistentë në qëndrimet tona”, është shprehur Lekaj.

Nënkryetari i AAK-së ka kritikuar qeverinë edhe për masat e reja kundër Covidit. Lekaj ka bërë me dije se me këto masa do të hapet rruga për shpenzim të parasë nga ana e qytetarëve në vendet e rajonit.

“Ne si AAK që në fillim e kemi paralajmëruar qeverinë që me këto masa vetëm se do të hapet rruga për shpenzim të parasë të qytetarëve në vendet e rajonit. Kjo u vërtetua edhe këtë fundjavë, kur mbi 28 mijë qytetarë të Kosovës kaluan kufirin me Shqipërinë, duke shpenzuar të hollat e tyre jashtë vendit, ndërkohë që shumë biznese në vendin tonë janë mbyllur dhe rrezikojnë falimentimin”, ka theksuar Pal Lekaj, nënkryetar i AAK-së.

(Muhamet Koci / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rihanna është shembulli më i mirë i një artisteje që…