PANDELI SOTIRI, MËSUESI I PARË I SHKOLLËS SHQIPE

07 mars 12:00

Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Populli shqiptar, i cili e ka çarë rrugën e historisë jo vetëm me shpatë në dorë, traditën patriotike dhe revolucionare e ka ruajtur dhe kultivuar brez pas brezi. Jo vetëm duke luftuar me armë, por edhe duke ruajtur dhe kultivuar brez pas brezi. Jo vetëm duke luftuar me armë, por edhe duke ruajtur, zhvilluar e përhapur gjuhën dhe kulturën shqiptare, populli ynë nuk u asimilua ndër shekuj.

Andaj vitet 1878-1897 ishin të mbushura me ngjarje të historisë së popullit shqiptar dhe sollën një varg suksesesh kulturore arsimore. Në rrethanat e komplikuara politike dhe kulturore që ndodhej atdheu ynë, kur synohej për t’u shkombëtarizuar me lloj-lloj shkollash e kulturash, përpjekjet e atdhetarëve së Rilindjes për gjuhën, shkollën dhe alfabetin shqip dolën në plan të parë, duke i shërbyer ngritjes së ndërgjegjes kombëtare dhe bashkimit të popullit në përgjithësi.

Në verë të vitit 1885 shoqëria “Drita” – e Bukureshtit dërgoi në Korçë patriotin korçar Thimi Markon me mision që si hap të parë të t’i parashtronte Mitropolisë së Korçës të mësohej gjuha shqipe. Kërkesa natyrisht, u pranua. Po në atë vit patriotët e Korçës, në bashkëpunim të ngushtë me shoqëritë shqiptare të Bukureshtit dhe të Stambollit, iu rrekën punës për të hapur shkollën shqipe. Themelimi i Mësonjëtores shqipe për djem e vasha në Korçë, e çelur në Korçë më 7 mars 1887, ishte një kurorëzim i përpjekjeve të përbashkëta të organizatave patriotike të të mërguarve të Korçës.

Që në fillim u tregua nevoja për sigurimin e ndërtesës për mbajtjen e mësimit, mësuesit të cilët duhej të angazhoheshin në këtë shkollë, e sidomos ishte shumë e rëndësishme leja për hapjen e shkollës shqipe. Leja për një shkollë private shqipe u desh të nxirrej në Ministrinë e Arsimit të Perandorisë Turke, që u sigurua në emër të Pandeli Sotirit. Shkolla u vendos në shtëpinë private që e fali veprimtari e atdhetari i dalluar i Shoqërisë “Drita” të Bukureshtit, Diamand Tërpo. Me ndihmën dhe ndërmjetësimin e vetë vëllezërve Frashëri, mësues i parë dhe drejtor i shkollës së parë shqipe u caktua Pandeli Sotiri.

Pandeli Sotiri jetoi e veproi në një kohë kulmore të Rilindjes sonë Kombëtare, në dy-tri dekadat e fundit të shekullit të kaluar si intelektual i shkallës së lartë, që të gjithë dijet e mundësitë e tij vuri në shërbim të shoqërisë shqiptare, çlirimit kombëtar e të emancipimit shpirtëror. Ky patriot i madh, me angazhimin e tij në shkollën shqipe, la punët e tij e me entuziazëm të paparë largohet nga Stambolli për në Korçë, duke sjellë me vete bagazhin më të pasur për popullin shqiptar me më se 150 abetare.

Kjo shkollë e shumëpritur shqipe kishte karakter laik dhe kryesisht mbahej nga patriotët shqiptarë si një pohim i heshtur i njohjes së kombit shqiptar, të cilët ligjet e shtetit turk e mohonin kryekëput, duke i konsideruar turq të gjithë shqiptarët muhamedanë. Mësonjëtorja fillimisht ishte një shkollë autonome që nuk varej, nuk mbahej e nuk mbrohej prej ndonjë shteti a shoqërie të huaj. Kjo shkollë kryesisht ishte ku shqipja qëndronte zonjë në vend të vet e jo shërbëtore e ndonjë gjuhe të huaj – thuhej në shtypin e kohës.

Si mësues i parë i kësaj shkolle Pandelit iu caktuan të ardhura mujore 10 lira turke, ku në të hynin qiraja e shtëpisë dhe, siç shkruan Nuçi Naçi, në rrogë qenë vënë edhe ndihmësi i tij Thanas Sina dhe shërbëtori. Ndërsa nxënësve të varfër pa dallim feje iu falnin libra, fletore, pena e nganjëherë edhe këpucë. Për këtë praktikë demokratike më së miri flet deklarata e nxënëses së parë të kësaj shkolle, Polikseni Luarasi, dhënë në librin «Kujtime veteranësh», më 1962, në Tiranë, e cila në mes të tjerave shkruan: unë jam nxënësja e parë e shkollës shqipe të djemve në Korçë. Unë munda të vazhdoja mësimet në shkollën shqipe, pasi atje nuk paguanim taksë si në shkollat e tjera dhe librat e fletoret na i jepnin darovishte /falas/.

Ndërsa, për shëmbëlltyrën e mësuesit vazhdon: “Mësuese të parë mbaj mend Pandeli Sotirin. Ishte i çalë, po shumë i zgjuar, i mësuar dhe patriot i vendosur. Vani Cico Kosturi na thoshte se Pandeli Sotiri ka qenë mik me shkrimtarët patriotë të Rilindjes, me Naim Frashërin, Sami Frashërin. Jani Vreton dhe me idetë e frymën e këtyre përpiqej ta mbronte e ta organizonte shkollën dhe patriotët e Korçës. Ai na vinte shpesh në shtëpi dhe mua më deshe shumë. Jemi nga një vend, më thoshte – nga Gjirokastra me vulë”. Ndërsa në mënyrën më emocionale e përshkruan takimin e parë nxënësi Thanas Viso Mborja: “Pandeli Sotiri na priti me buzëqeshje, na përkëdheli kokën e na tha të bëheshim çuna të mbarë e nxënës të mirë”, përfundon ky ish-nxënës i mësuesit të parë.

U kujtohet shumë nxënësve e prindërve se dita e parë në këtë shkollë të parë shqipe ishte shndërruar në një festë të vërtetë popullore për tërë qytetin. Në këtë ngjarje të rëndësishme jo vetëm për Korçën, por për mbarë vendin, mbajti një fjalim mësuesi dhe drejtori i shkollës, Pandeli Sotiri, i cili me atë buzëqeshjen e tij të qetë e karakterizoi gjatë gjithë kohës me të vegjlit e të rriturit, foli në mënyrë të veçantë për interesimin e tyre dhe rëndësinë kombëtare të kësaj shkolle.

Mësonjëtorja shqipe e Korçës qe shkollë e përbashkët me myslimanë e ortodoksë dhe nuk varej as nga kisha e as nga xhamia. Duke qenë shkollë e përbashkët, për fëmijë besimesh të ndryshme, ajo realizonte edhe një pikë tjetër themelore të programit të Rilindjes Kombëtare për zgjimin dhe rritjen e ndërgjegjes kombëtare, për vëllazërimin dhe bashkimin e popullit. Ishte ky pohim i atëhershëm e që qëndron edhe sot.

Është meritë e Pandelit që u bë mësues dhe drejtor i parë i asaj shkolle që mishëronte aq bukur idealet e rilindësve shqiptarë, sepse e tërë kjo punë ishte një kurorëzim i përpjekjeve të përbashkëta të shoqërive atdhetare të mërgimit e të arsimdashësve në qytet e fshat. Kjo shkollë filloi realizimin e programeve të organizatave atdhetare të brendshme e të jashtme për ruajtjen e kultivimin e gjuhës shqipe si element jetik i vetë kombit.

Duke e nderuar veprën dhe punën e Pandeli Sotirit, në Ditën e Mësuesit, vijmë në përfundim se koha nuk ka mundur ta zbehë veprën e tij, karakterin kombëtar dhe rëndësinë që ka për gjeneratat e ardhshme. I admirojmë të gjithë ata si Pandeli Sotiri për largpamësinë që kanë pasur, e menduar se me fisnikëri e burrëri iu kanë rrekur problemeve në dobi të atdheut e të popullit.

Sa të mëdha e të pastra i kanë pasur, i kanë ruajtur e i kanë çuar përpara idealet e tyre atdhetare, për popullin dhe kombin shqiptar këta martirë të shkollës shqipe. Prandaj, me respekt te thellë ne do të qëndrojmë para veprës madhore të tij dhe të të gjitha figurave të shquara të rëna për liri, pavarësi, demokraci dhe për zhvillimin e përparimin e kombit shqiptarë, përkatësisht me rastin e Ditës se Mësuesit do t’i përkujtojmë gjithmonë.

Image result for pandeli sotiri

Lajme të sponsorizuara