Panucci: Turqia superiore, por besoj te fitorja

17 mars 2019 | 18:58

Trajneri i kombëtares shqiptare, Christian Panucci, ka dalë para gazetarëve në Tiranë për t’i prezantuar dy ndeshjet e para kualifikuese për “Euro 2020”, kundër Turqisë dhe Andorrës, këtë muaj. Panucci është dukur entuziast dhe me shumë besim te kombëtarja, ndoshta edhe për faktin se tashmë ka një grup thuajse të plotë dhe lojtarët po luajnë rregullisht në klubet përkatëse.

Çfarë prisni ndryshe, duke qenë se keni premtuar ndryshime?
Panucci: Sjellja në fushë po, ajo duhet ndryshuar. Edhe taktikisht do të bëjmë pak ndryshime, kemi rikuperuar disa lojtarë dhe diçka do ta ndryshojmë. Mund të luajmë me 4-3-3 ose me 3-5-2, të shohim. Nuk do të luajmë thjesht në mbrojtje, por kam kuptuar që kam gabuar. Sa më shumë hapemi në fushë, aq më shumë probleme kemi.

 A jeni i kënaqur me skuadrën, pas kthimit të shumë lojtarëve?
Panucci: Jam i kënaqur me këta 23 lojtarë që kemi, por mund të vijnë të tjerë. Kisha grumbulluar Cikalleshin, por ai u dëmtua. Është edhe Ndoj i dëmtuar. Binaku ka probleme muskulore. Kthehet Abrashi, kthehet Ajeti, Grezda më në fund u kthye në fushë dje, edhe pse ndoshta nuk ka 90 minuta në këmbë. Kaçe po luan rregullisht, është kthyer në kombëtare, ndërsa më parë nuk luante. Ka shumë futbollistë shqiptarë nëpër Evropë që nuk luajnë rregullisht dhe ky grup luan mjaftueshëm. Kemi Qosen që vjen në kombëtare, e kam ndjekur gjatë gjithë dimrit, të tjerët janë të njëjtët. Mavraj është i pezulluar, të shohim si është Sadiku, sepse është shumë i rëndësishëm për ne.

Çfarë duhet të bëjë Bare më shumë për të luajtur në kombëtare?
Panucci: Ç’lidhje ka Bare, është gjë miku yt? Do të shkoj ta shoh, se është edhe Marbella afër. Mund të jenë shumë të tjerë që mund të vijnë në kombëtare.

Planet janë për ndeshjen e radhës, apo për gjithë eliminatoret?
Panucci: Duhet të shohim vetëm ndeshjen e radhës, sepse kam parë që këtu kalohet lehtë në eufori. Jam i bindur se mund të bëjmë diçka speciale, përndryshe iki. Thjesht duhet të jemi të qetë dhe të përulur, sepse më duket se 2016-a nuk u ka bërë mirë disa njerëzve. Jam i bindur që mund të bëjmë shumë mirë ndaj Turqisë, mund të provojmë të fitojmë.

 Vrushaj e Durmishaj na braktisën. Po me Tahirajn e Seferin, e keni pasur kontakte?
Panucci: I kemi nën vëzhgim, janë në planet tona për të ardhmen. Vrushaj e Durmishaj kanë bërë zgjedhjen e tyre, kanë ikur te Greqia.

Lenjani, pse mungon këtë radhë?
Panucci: Sepse janë Binaku dhe Aliji.

Duket sikur kemi pak zgjedhje nga krahët…
Panucci: Jo, kemi shumë lojtarë nga krahët, kemi Grezdën, Uzunin, kemi mbrojtësit e krahut që janë të aftë të luajnë edhe më përpara.

Mbrojtja, si do të ndryshojë, duke qenë se kemi pësuar shumë gola kohët e fundit?
Panucci: Problemi ka qenë mënyra e lojës. Do të jemi më kompaktë dhe do ta ndihmojmë mbrojtjen me mënyrën si luajmë. Gjimshiti luan tek Atalanta, Hysaj te Napoli dhe Ismajli te Hajduk Split. Formacioni? Do të luajmë 4-4-2 (qesh.). Do ta ndryshoj gjatë gjithë javës.

Si e shihni Turqinë, sa e njihni?
Panucci: Është një skuadër e fortë, superiore ndaj nesh. Sapo ka ndërruar trajner. Duhet të tregohemi më të fortë për ta mundur, por kam besim te djemtë e mi. Mundohem të jem gjithnjë pozitiv dhe besoj se mund të fitojmë. Mungon Under te Turqia. Ky është një lajm i mirë për ne, por duhet të shohim si do të luajë Turqia, sepse trajneri i ri luan zakonisht 4-2-3-1. Megjithatë, mendoj më shumë për ekipin tim. I kam idetë e qarta çfarë duhet të bëjmë, duhet ta luajmë lojën tonë, por natyrisht do të ketë ndryshime në skemë nga Turqia tek Andorra.

Berisha apo Strakosha, për portën?
Panucci: Kur bëj formacionin, zakonisht dy të parët nuk i gaboj kurrë. Berisha apo Strakosha, dhe pastaj Hysaj. Kam ende dyshime aty, të shohim. Mbrojtjen pak a shumë e morët vesh, e thashë më sipër.

 A ka lojtarë për kombëtaren Kategoria Superiore?
Panucci: Shumë e vështirë, kampionati shqiptar i jep shumë pak kombëtares. Kampionati çon lojtarë jashtë dhe më pas më të mirët vijnë në kombëtare. Realiteti është i tillë, edhe pse i ndjekim të gjithë.

 Abrashi, sa i rëndësishëm është për ne?
Panucci: Është lojtar me peshë, me shumë përvojë. Na duhet shumë forca e tij, tërbimi, agresiviteti. Duhet ta kemi të qartë kush jemi ne.

Durmishaj, mos ndoshta duhej të luante pak minuta sa për ta djegur, si Vrioni?
Panucci: Këtë radhë grumbullova vetëm dy sulmues. Vrioni është shumë i rëndësishëm dhe ka të ardhme të shkëlqyer, thjesht i duhet të piqet. Durmishaj është lojtar i ngjashëm, të shohim sa do të luajë për Greqinë. Vendimi i tij duhet respektuar, çdokush bën atë që do, por problemi është që në fillim thonë “po”, pastaj “jo”, pastaj dërgon ndonjë mesazh dhe përgjigjet menaxheri. Këta lojtarë që bëjnë kështu nuk do të bëhen kurrë lojtarë të vërtetë. Një lojtar i vërtetë e thotë me bindje “po”, “jo”, nuk qurravitet. Këta janë lojtarë me “ko*e”, jo ata si Durmishaj që sapo i kërkon Greqia apo një kombëtare tjetër, u prishet mendja. Këtu jam gati të vendos bast: Durmishaj nuk do të bëhet kurrë lojtar i rëndësishëm. Këtu do të jemi, do të flasim pas dy vjetësh. Shkova të takoj një lojtar, erdhën babai, menaxheri, xhaxhai, kryetari i bashkisë, m’u duk sikur ishte Messi. Nuk e di fare ku luan tani. “Nuk e di, duhet të mendohem, të flas me menaxherin, me babin”. Për çfarë, menaxheri e vendos jetën tënde? Isha me një drejtues të Federatës, i thashë “nuk vlen, hiqi vizë”. Menaxheri e trajtonte sikur të ishte Cristiano Ronaldo.

Roma, a ka pasur diçka reale?
Panucci: Nëse kanë menduar për mua, nuk e di. Megjithatë, nuk kam marrë asnjë telefonatë, zero. Po të kisha marrë një telefonatë, një sekondë më vonë do ta telefonoja presidentin Armand Duka, për ta njoftuar, sepse respekti për mua është shumë i rëndësishëm. Mua më paguan FSHF dhe nuk mund të flas me asnjë ekip tjetër për sa kohë jam i Shqipërisë. Jam i lumtur këtu, nuk e di për ju.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, ka njoftuar sot për nisjen…