Para takimit me Kurtin, AGK-ja i drejtohet me kërkesë publike Antonio Costas
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, që përfaqëson mbi 700 gazetarë në Kosovë, i është drejtuar publikisht me këtë kërkesë presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, me rastin e vizitës së tij në Kosovë.
AGK-ja kërkon nga Costa që, në takimin me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, të diskutojë nevojën për respektimin e lirisë së medias dhe të shprehjes nga ana e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës.
Sipas AGK-së, Kosova ka shënuar një rënie dramatike të lirisë së medias në vitet e fundit, e dokumentuar nga raporte ndërkombëtare, duke përfshirë edhe vizitën në mars të Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Evropës.
“Qeveria e zotit Kurti dhe partia e tij politike, Vetëvendosje, janë angazhuar në fushata të vazhdueshme denigrimi kundër gazetarëve dhe punonjësve të mediave për shkak të punës së tyre. Kjo e ka bërë klimën e të bërit gazetari në Kosovë më të rëndën në vitet e fundit. Institucione që do të duhej të ishin të pavarura, si Komisioni i Pavarur i Mediave dhe Radio Televizioni i Kosovës, janë vënë nën ndikim të drejtpërdrejtë politik nga Qeveria, nëpërmjet emërimit të bordeve në procese të komprometuara. AGK-ja shpreson që z. Costa do t’ia rikujtojë kryeministrit Kurti se respektimi i lirisë së medias është kyç në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të cilin e aspiron shumica dërrmuese e popullit të Kosovës. Gazetarët dhe mediat në Kosovë vazhdojnë të bëjnë një punë jetike në ofrimin e informacionit në interes të publikut, duke luajtur rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e një vlere themelore të demokracisë evropiane”, ka njoftuar AGK-ja.



