Parada ushtarake, gjenerali britanik: Shqipëria, aleate strategjike

24 shtator 2018 | 12:56

Gjeneralmajor Charlie Stickland, i cili është i pranishëm në Shqipëri me forcat britanike si komandant i forcave amfibe në stërvitjen e përbashkët “Albanian Lion 2018”, u shpreh shumë i kënaqur me nivelin e paraqitur në këtë stërvitje, të forcave shqiptare por edhe të Britanisë, Kroacisë dhe Kosovës.

Në fjalën e tij në ceremoninë e ditës së vizitorëve të shquar të “Albanian Lion 2018” në qendër të Tiranës, gjenerali vuri në dukje se kjo stërvitje është një mundësi që “Britania e Madhe të thellojë bashkëpunimin me Shqipërinë, marrëdhëniet me të si një aleat strategjik për ne”.

Ai vuri në dukje se kthehet në Shqipëri, që e cilësoi një vend shumë të bukur, pas një vizite në vitin 2015 dhe takimeve në Londër në fillim të vitit me ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

“Shqipëria luan rol kyç në mbështetje të përpjekjeve të Mbretërisë së Bashkuar për të bashkuar aleatët dhe ne jemi mjaft mirënjohës për këtë mbështetje sikundër për ngrohtësinë dhe mikpritjen që na tregohet nga Forcat e Armatosura dhe shqiptarët. Kjo stërvitje është mundësi për forcat e marinës mbretërore për të kontribuar dhe për të vlerësuar gatishmërinë luftarake të vendeve të NATO-s për vitin 2019”, ka thënë gjeneral major Stickland.

Gjenerali britanik Stickland ka falënderuar pjesëmarrësit dhe sidomos Shqipërinë, duke vlerësuar se angazhimi dhe energjia e stërvitjes janë shumë shpresëdhënëse për vazhdimësi të bashkëpunimit.

Rreth 1200 trupa dhe dhjetëra mjete, tokësore, ajrore dhe detare janë angazhuar në stërvitjen “Albanian Lion 2018”, e cila do të vazhdojë deri më 30 shtator.

Për herë të parë në këtë stërvitje, e cila zhvillohet çdo vit në Shqipëri, merr pjesë edhe një kontingjent nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Përgatitja e terrenit dhe lëvizja e mjeteve dhe trupave ka filluar që më 9 shtator, duke shfrytëzuar bazat më të rëndësishme ushtarake të Shqipërisë, që nga bazat detare të Kepit të Palit, Pashalimanit, Porto Palermos, gadishullin e Karaburunit, bazat ajrore të Rinasit e Farkës, garnizonin e Zall-Herrit, si dhe rajonin stërvitor të Bizës.

Qëllimi i kësaj stërvitjeje është realizimi i operacioneve të evakuimit joluftarak nëpërmjet detit dhe ajrit, duke përfshirë anije luftarake zbarkuese, helikopterë dhe forca speciale për veprimtaritë në tokë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media ka mbajtur…