Partitë politike duhet ta kuptojnë përgjegjësinë që do të kenë për transformimin ekonomik të Kosovës

04 janar 2021 | 22:55

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një shkrim të shkruar për “Epokën e re”, ka thënë se hisedarët politikë, me veprimet e tyre të qëllimshme dhe të paqëllimshme, kanë rënduar dukshëm ndikimin e pandemisë Covid-19 në ekonominë e vendit.

“Nëse jo për menaxhimin efikas të pandemisë, Kosova së paku ka zënë vend në titujt e lajmeve ndërkombëtare, për rrëzimin e Qeverisë dhe thellimin e krizës institucionale, pikërisht në kohën kur vëmendja e institucioneve do të duhej të ishte e përqendruar tërësisht në menaxhimin e pandemisë dhe pasojave të saj”, ka thënë Zeka.

Ai ka theksuar se injoranca e demonstruar përmes qeverisjes së dobët ekonomike, së paku në 12 vitet e të ekzistuarit të Kosovës si shtet i pavarur, nuk ka mundur të ndryshojë (aq më pak për të mirë), në muajt e ballafaqimit me pandeminë.

“Mungesa e një strategjie nacionale zhvillimore, oferta e varfër për investitorët, si dhe sundimi i dobët i ligjit, me vite i kanë kontribuar një strukture të paqëndrueshme zhvillimore, me shumë pak investime të jashtme, e të varur në masë të madhe nga dërgesat e Diasporës, e cila në këtë vit të rëndë, vetëm se ka vulosur peshën e kontributit të saj për mbajtjen në këmbë të ekonomisë së Kosovës”, është shprehur ai.

Ai ka pohuar se do të kishte qenë gati e pabesueshme të mendohej se partitë, pa përjashtim, do t’u jepnin përparësi interesave të ngushta dhe inateve partiake, në llogari të veprimit të bashkërenduar dhe të shpejtë në mbështetje të sektorit privat dhe punonjësve të Kosovës.

“Tanimë kur vendi do të hyjë në një cikël të ri zgjedhor, partitë politike, e veçanërisht ata që do ta marrin besimin për drejtimin e qeverisë së vendit, do të duhej të kuptonin si kurrë më parë përgjegjësinë që do të kenë për transformimin ekonomik të Kosovës. E një procesi të tillë të ndryshimit do t’i duhej paraprirë me një pakt për një ekonomi të re, të koordinuar ngushtë me akademinë, ekspertët, punonjësit dhe sektorin privat. Gjithçka tjetër do të vijonte të ishte improvizim, si dhe çmim që do të paguhej sërish në të ardhmen, për gabimet e të sotmes!”, ka deklaruar Zeka.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Financave, njëherësh anëtare e Kryesisë së LDK-së, Hykmete…