Pas dhunës në basketboll, takohet Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës

07 maj 2021 | 19:43

Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive të Tjera Negative në Ngjarjet Sportive ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm.

Qëllimi i takimit ishte adresimi i ngjarjes së fundit në ndeshjen e basketbollit mes klubeve KB Ponte nga Prizreni dhe KB Peja. Në takim ka marrë pjesë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani dhe, në bazë të çështjes për diskutim, ka marrë pjesë edhe kryetari i Federatës së Basketbollit, Arben Fetahu. Rastet e dhunës në sport janë çështje që Këshilli i trajton me seriozitetin më të lartë.

Nga njoftimi i rastit të ndodhur në Prizren, Këshilli ka kërkuar nga Prokuroria hetimin e plotë të rastit e cila ka njoftuar se tashmë një gjë e tillë ka filluar dhe deri më tani, ndaj disa personave, Prokuroria e Prizrenit ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orësh.  Policia e Kosovës dhe autoritetet e tjera të sigurisë po ashtu kanë njoftuar se janë duke bërë verifikimin e informatave dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë përmes intervistimeve dhe mbledhjes së provave. Në kuadër të takimit të jashtëzakonshëm anëtarët e Këshillit kanë pranuar incizime shtesë të cilat tashmë janë proceduar në Prokurori. Më tutje, Këshilli do ta përcjellë rastin në vazhdimësi deri në zbardhjen e tij.

Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive të Tjera Negative në Ngjarjet Sportive, ritheksoi vendosmërinë për të ndërmarrë të gjitha veprimet në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive të tij për të bashkëpunuar me të gjitha autoritetet relevante me qëllim që adresimi i përgjegjësive ndaj atyre që përfshihen në akte të dhunës dhe dukurive të tjera negative në ngjarjet sportive, të jetë i plotë dhe proporcional me veprimet e kundërligjshme.

Këshilli, po ashtu, i dha mbështetje reagimit të Federatës së Basketbollit në adresimin e përgjegjësisë disiplinore dhe organizative ndaj palëve të përfshira në këtë rast. Po ashtu, javën e kaluar Këshilli ka mbajtur një takim për t’i adresuar shqetësimet e fundit lidhur me kurdisjet e mundshme në ndeshjet e futbollit. Kurdisjet paraqesin problem serioz dhe të gjitha pretendimet duhet të mbështeten në fakte dhe trajtimi i secilit rast duhet të bëhet në përputhje me ligjet në fuqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetari i njohur Ferdinand Samarxhi ka folur për muajin e…