PAS FITORES, LV-së I MBETET EDHE TË TRANSFORMOHET

08 tetor 11:00

Nëse i mban aktive prirjet hakmarrëse ndaj kundërshtarëve politikë dhe ideologjikë, po edhe ndaj faktorëve ndërkombëtarë ashtu siç i kishte ndër vite, LV-ja mund të shkaktojë polarizime dhe konflikte serioze në politikë e në shoqëri

Shkruan: Milazim KRASNIQI

Zgjedhjet e 6 tetorit 2019 sollën ndryshimin e roleve të partive kryesore politike. Dy partitë opozitare, LV-ja dhe LDK-ja, i fituan zgjedhjet, ndërsa partitë që ishin në qeverisje, PDK, AAK dhe NISMA, i humbën ato. Shkaqet e ndryshimit janë të shumta. Disa prej tyre i heqin fillet që nga pozita neokoloniale e Kosovës në raport me faktorin ndërkombëtar. Ndërsa, disa të tjera nga qeverisja e tejzgajtur e një partie (PDK-ja) nga arroganca e ish-disa pushtetarëve, nga keqqeverisja, nga ndryshimet demografike, nga ndryshimet e pritshmërisë së qytetarëve etj. Sidoqoftë, rezultati është ky që është, një përmbysje e koalicionit të deritashëm qeverisës dhe hapja e mundësisë për një qeveri të re, të udhëhequr nga LV-ja.

Prandaj, që nga dita e sotme kureshtja mbetet e lartë lidhur me qeverinë e re dhe drejtimet e politikave të saj, kur dihet se LV-ja në opozitë ka përdorur dhunën ndaj institucioneve, individëve dhe pronës shtetërore e private, si mjet brutal për arritjen e qëllimeve politike. Mbetet të shihet se a do të heqë dorë LV-ja nga dhuna, tash që i ka realizuar qëllimet politike me anën e zgjedhjeve. Në këtë kontekst, bindja ime është se po të mos e përdorte dhunën ashtu si e përdori, një dhunë lemeritëse dhe shkatërruese për imazhin e vendit, LV-ja e ka pasur rrugën të hapur të vinte në pushtet në vitin 2017, por pikërisht taktikat e dhunës e patën lënë jashtë qeverisë në atë vit.

Në zgjedhjet e 6 tetorit LV-ja përdori taktika krejt të tjera, u shpërfaqë si parti e moderuar, hoqi dorë nga elementët kryesorë të programit të vet dhe kjo e ndihmoi të dilte fituese. Por, tash i mbetet që të bëjë një deklaratë distancuese nga dhuna si mjet për arritjen e qëllimeve politike, që ta finalizojë fitoren dhe ta skicojë një program të besueshëm qeverisës. Këtë gjë duhet ta bëjë para se ta marrë mandatin qeverisës sepse mundësia e përdorimit të dhunës si parti qeverisëse është shumë më e madhe sesa kur ishte në opozitë. Nëse i mban aktive prirjet hakmarrëse ndaj kundërshtarëve politikë e ideologjikë, po edhe ndaj faktorëve ndërkombëtarë, ashtu si i kishte ndër vite, LV mund të shkaktojë polarizime dhe konflikte serioze në politikë e në shoqëri.

Në këtë kontekst, besoj se partneri potencial i saj, LDK-ja, e ka për obligim t’ia kërkojë LV-së një aso deklarate, pasi pikërisht kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka qenë caku kryesor i sulmeve të dhunshme në vitet kur ishte kryeministër. Nëse LDK hyn në koalicion me LV me atë kompleks inferioriteti, ajo kurrë nuk do të arrijë ta frenojë mujsharinë revolucionare të LV-së dhe veçmas ambicien problematike të kreut të saj. Në atë rast LDK-ja do të duket si patericë e LV-së, siç ishte edhe PDK-ja si patericë e Ramush Haradinajt, në qeverinë së cilës sapo iu dha lamtumira.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot bëhet një vit që kur u nda nga jeta…