Pas infektimit të mjekut dhe infermierëve, Gjilani mbyll Repartin e Pediatrisë

11 maj 2020 | 11:53

Pas konfirmimit të nëntë rasteve të reja me COVID-19 në Komunën e Gjilanit, kjo komunë ka marrë vendim që ta mbyllë përkohësisht Repartin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Gjilanit. Ky vendim është marrë sot, pasi mbrëmë, prej nëntë rasteve që dolën me koronavirus, katër prej tyre ishin nga stafi mjekësor i Repartit të Pediatrisë, një mjek dhe tre infermierë, ka bërë me dije, në një prononcim për Telegrafin, nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli.

“E kemi pezulluar punën në Repartin e Pediatrisë për shkak se mbrëmë një mjek dhe tre infermierë kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Kjo ka qenë arsyeja pse është mbyllur Pediatria përkohësisht”, ka thënë Ismajli.

Ai ka shtuar se nuk dihet për sa kohë ky repart nuk do të funksionojë.

“Nuk dihet deri kur do të jetë i mbyllur për shkak se janë duke u hulumtuar listat e kontaktit. Sot është marrë një numër i konsiderueshëm i mostrave nga listat e kontakteve që kanë dhënë infermierët dhe doktori. Po besoj se derisa të finalizohet nuk do të hapet. Shërbimet nuk kanë mbetur keq sepse janë bartur në ambulantet e mjekësive familjare në qytet dhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare”, ka treguar Ismajli.

Ai ka shtuar se sot pritet të testohen rreth 70 qytetarë, në rast se pasdite nuk do të ketë shtim të numrit të mostrave. “Deri në këto momente kur po flasim numri i personave që pritet të testohen është rreth 70 , nëse nuk merret edhe pasdite ndonjë mostër”, ka njoftuar Ismajli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një anije luftarake iraniane është goditur aksidentalisht nga predha e…