Pas masakrës që bënë më 22 maj 1999, kalvari i vuajtjeve s’përfundoi aty

25 maj 2021 | 13:51

Masakra në burgun e Dubravës-22 /23 Maj 1999 – Vuajtjet vazhdojnë

Pas pushimit të të shtënave fillimisht mblidhemi te ambulanca dhe aty i mbledhim ta plagosurit që i kishin gjuajtur snajperistët që shumë prej tyre vdiqën nga plagët dhe të cilët i shtrim në Spitalin e burgut dhe disa që i mblodhëm për tu dhëne ndihmë. Kjo gjendje shihet më së miri nga fotot që i kanë bërë forcat policore me të burgosurit serb me kufomat e të burgosurve shqiptar që i mbanin në duar.

Edhe spitali ishte i shkatërruar nga granatimi dhe barnatorja ishte thuaja  e zbrazet pa barna. Ishte gjendje e tmerrshme pa shprese me frike nga  secili që nuk dinte çka po ndodh dhe e prisnim vdekjen  secili nga ne në çdo moment nga Policia e gardianët e Burgut.

Te vdekurit i lamë të shtrirë në korridor të ambulantes dhe dolëm e shkuam në Pavijonin C, atje kishte dhe shume te plagosur, por edhe të vdekur që i qitëm jashtë dhe i mbulonim me batanije për të ikur trishtimit dhe mbuluar që mos të fryhen kufomat nga  temperatura. Para derës kishim renditë disa kufoma shokësh të vrarë. Ndërsa  te fusha shkonin një  grup për të kontrolluar mos është gjallë ndonjë tjetër nga shokët. Nën kufoma  kishin mbetur  gjallë e të plagosur edhe disa dhe i kanë tërhequr dhe i kanë sjellë në pavijonin C. Aty i kem renditur në korridor, u kemi shtruar dyshek të shtretërve. Dhe aty kem pasur 37 të plagosur rëndë dhe lehtë ndërsa në vende tjera disa të tjerë.

Sa vinte nata, sa na thërritshin të plagosurit shokët tanë. Mos na leni vetëm, dhe na prisnim  vdekjen, por në këto situate duhej mbajtur veten. Lëshuam një  njoftim që u bart shpejt tek të burgosurit që po vjen Kryqi i Kuq dhe do të shpëtojmë. Ky ishte lajmi që të plagosurve dhe shumicës ua kthej shpresën, ashtu u dukej në fytyrë. Dhe secili pyetnin a janë afër Kryqi i Kuq dhe përgjigjja jonë ishte: afër janë.

Duke  ardhur nata duke e pare mundësin që mund të hyjnë natën policia të na vrasin pa lënë gjurmë  e shenje, në këtë situatë u mblodhëm në  korridor lartë të Pavijonit C dhe vendosëm së bashku me  Bajrush Xhemajlin,  Avdi Mehmedoviqin dhe një grup të burgosurish që na duhet të qëndrojmë, nuk duhet të rijmë duar kryq. Duhet të mbrohemi t’i mbrojmë të plagosurit, bëmë plan si taktizim si mu mbrojte natën nga ardhja e mundshme e policisë në Pavijon.

Rreth pasdites kur dhe ishin ndalur gjuajtjet e granatimet mbi ne, të burgosurit shkonin në grupe dhe kërkonin se a ka mbetur ndonjë gjallë në fushën e sportit. Disa prej tyre dhe kërkonin ndihme në një formë edhe nga qielli. Ata kërkonin nga avionët e NATO-s ndihmë dhe shpëtim. Për të kërkuar ndihmë gjetën një formë unikate. Me dyshekët e shtretërve  që morën nëpër dhoma shkruan me to afër pavijonit C, me shkronja të mëdha sa dyshekët, që të dukej nga lartësia, të dukej nga qielli fjala në gjuhën angleze “H E L P”, sepse besonim që avionët e NATO-s do ta shihnin dhe do të kujdeseshin për ne dhe për të na dhënë ndihmë.

Ata djem që e shkruan “H E L P” shpresonin, sepse shpresa ishte shpëtimi  ynë për të ruajtur qetësinë shpirtërore dhe mend në kokë. Nata vinte dhe terri binte ngadalë si me përtesë dhe këta djem nuk donin te binte terri pa e parë  NATO dhe avionët e saj kërkesën e tyre H E L P.

Ne pritnim ndihme nga avionët ata nuk vinin, ne pritnim ndihmë nga Zoti ai nuk dukej. Dhe terri na mbuloj duke ëndërruar e duke pritur..

I thirrem të burgosurit që ishim aty rreth gjashtëdhjetë vetë me të plagosur. Ndërsa në ndërtesa të tjera ishin të tjerët.

Ju thamë, ne duhet te mbrohemi natën dhe nëse vijnë mos të na shkojë  gjaku huq, atë që mundemi me be dhe çka mundemi me bërë nëse na hyjnë gardianet brenda, ne duhet  të ua marrim pushkët, ose nëse  gjuajnë  granata  e bomba nga  dritaret të ua kthejmë prapa, sepse edhe ashtu jemi të vdekur  bile se paku me munduar me vra ndonjë.

Në bazë të këtij plani të gjithë sa ishim aty u pajtuam dhe filluam përgatitjet për mbrojtje. Thyem  shtretërit morëm hekurat dhe krijuam mbrojtje në katet e dyta, bartëm gurë e tulla që kishin mbetur nga bombardimi i 19 majit aty, disa hekura të shtratit i vendosëm poshtë në korridor te hyrja, i mbuluam me mbetje dhe i lidhem me çka mundem që më pas mundësi tërheqjeje, që kur të hyjnë policët, kur të shkelin mbi ta të humbin kontrollin dhe të tjerët me shufra hekuri të shtretërve të u meshojnë  dhe më pas me ua marrë armët. Ndërsa të tjerët nga kati i dytë të gjuajnë me gurë e çka munden për të ua marrë pushkët e më pas me filluar qëndresën aty me armët e tyre. Ndërsa kohë pas kohe  i shikoja te plagosurit dhe fatkeqësisht ai qe vdiste e hiqnim e qiteshim jashtë, jo nga dëshira jonë por për arsye që të paktën mos t’i shohin të plagosurit tjerë se shokët po na vdesin nga pamundësia për t’i shëruar.

Sapo filloj nata dhe terri  e mbuloj hapësirën e  burgut, errësira krijoj për neve siguri por edhe heshtje. Secili rrinte zgjuar në pozicionet që kishim bërë për mbrojtje. Te plagosurit kur na shihnin aty e ndienin veten më të sigurtë dhe pyesnin çka po bëhet, mos na leni vetëm. Disa te plagosur ne dhoma që e kishin plumbin në trup dhe njërin që e njihja i thash je i pjekur mos  bërtit duroj dhimbjet, pije një hap qetësues se dhe hapa  s’kishim ato që i kishim duhej me i ruajt. E prisja kur po vdes, nuk  besoja  se do te shpëton. Ai më tha mos ta ndien se zërin s’ke me ma ndie jam i fortë si ti dhe do të mbijetoj. Një tjetër bërtitke, që ne si pas planit duhej të heshtnim dhe  t’i prisnim në befasi policët. Shkuam te dhoma bashkë me Bislim Zogajn ndërsa njëri na ndiqte prapa, i plagosur dhe te shtrati i tij sapo hymë, e pyeta çka ke ku je i plagosur, në këmbë më tha dhe  jam keq. I thashë plagën mire e ke  dhe mos  bërtit. Por i plagosuri na tha shihe si me bie të fikët mua dhe u shtri. Dhe u ngrit e tha a me shikove si me bie të fikët. Kjo ishte e tmerrshme  si lojë e tij për të na mbajtur afër për shkak të frikës së tij. Ja kam kap dorën dhe i kam thënë zërin nuk dua më ta dëgjoj, më asnjë zhurmë nuk dua me i tmerruar të plagosurit tjerë.

U krijua një qetësi, më pas vizitonim sa lartë sa poshtë pa ndal njerëzit tanë. Qetësi dhe ne qetësi  flisnin me pëshpërimat dhe mirë jemi thoshin të gjithë. Ishin djem të ri, ishin luftëtarë të UÇK-së, disa që e dinin çka është lufta, por ishin zënë robër. Tash në burgje ishin të gatshëm për çdo veprim në mbrojtje. Secili nga këta ishin në pozicione, ishim edhe grupi im qe ishim dënuar, bashkë në gjykatën  e Qarkut në Prishtinë dhe secili ishte i pjekur dhe politikisht e dinte se duhet me qëndruar në këso situate.

Ora ecte dhe ne prisnim në roje secili në  vendet e tyre duke pritur policinë, kur po vijnë. Por dhe mëngjesi po afrohej.

Dita filloj të zbardhej. Mali sipër me bjeshkë filluan të duken, ngadalë dhe karakolli filloj të dukej. Ne ishim akoma në si roje në pozicione. Vizituam të gjithë të plagosurit në mëngjes dhe shikonim se kush ia arriti të mbijetoj. Kur u bë dritë që dukej çdo gjë dhe  filluan te hyjnë  policët e gardianët të armatosur nëpër pavijone. Dy tri zolla i lëshuan në pavijonet e poshtme duke i nxjerr të burgosurit jashtë nga ndërtesat e budrumet ku ishin strehuar natën. Disa të burgosur ishin fshehur në puset disa neper tavane. Ne puset u gjuanin bomba  të cilat i vrisnin ose i plagosnin rëndë.

Por për çudi tek pavijoni ynë “C” nuk erdhën as gardianët e as ushtar, polic e paramilitar. Aty e dërguan një djalë për të na thirr me dal jashtë dje më pas me u nisë për te Salla e sportit që aty të mblidhemi të gjithë

Një gardian me maskë në kokë  kishte dal në qoshe të pavijonit dhe thërriste në serbisht që të dilnim, por me u afruar afër objektit tonë nuk afrohej.

Tashme ishte ditë. Ishte zbardhur. Plani që kishim bërë dhe që kishim ndjekur tërë natën zgjuar me nuk  funksiononte sepse nga larg tashme ata na shihnin dhe mund të na gjuanin dhe të na vrisnin. Por nuk kishte rrugë tjetër. Të plagosurit ishin poshtë në korridore. Ne u mblodhëm lart në katin e dytë të anës së poshtme te shkallët. Unë i pyeta: Çka po bëjmë? Asnjë nuk fliste. Asnjë nuk mund të thoshte shkojmë, sepse sigurt atje na priste vdekja. Secili shikonte secilin.

Morra  fjalën unë dhe thash:

Shokë, jeta jonë deri këtu e paska pasur. Nuk kemi çka bëjmë më shumë. Ne po dalim dhe po shkojmë atje në sallë, atje ku tashmë janë mbledhur shumica e të burgosurve. Në sallë të kuqe, nëse fillojnë të gjuajnë mbi ne, duhet të bërtasim të gjithë: Rroftë pavarësia  e Kosovës, dhe liria jonë po lahet me gjak dhe ky gjak nuk do të shkojë i humbur.

Me këtë  fjalë, ju kem hedhë secili, secilit në krahë duke u përshëndetur dhe duke e përqafuar, më pas kemi  filluar me dal një nga një duke shkuar për në Sallë të Sportit. Rrugës kordoni i policisë dhe ushtrisë ishte gati në rresht për qitje. Në rresht një pas një ecnim dhe hymë në sallë. Nga të gjitha pavijonet u mblodhëm aty. Ndërsa në dritare të sallës kishte të kacavarur ushtar me shenje “JNA”  të veshur me uniforma dhe armë automatike e zolla si dhe police e gardian po ashtu. Vazhdon…

Rrëfime nga i mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës, Nait Hasani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Miliarderja e famshme, Kim Kardashian, është paditur së fundmi nga…