Pas thirrjes së ministrit Vitia, Prokuroria nis hetime për “zbulim të fshehtësisë zyrtare”, në rastin e vaksinave

17 prill 13:26

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të hetojë rastin lidhur me zbulimin e detajeve nga procesi i sigurimit të vaksinave.

Kështu kanë bërë të ditur nga Prokuroria e Kosovës, të cilëve dje iu bëri thirrje ministri i Shëndetësisë së Kosovës për të bërë hetime lidhur me këtë rast.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se, pas konferencës së mbajtur mbrëmë, nga Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitija, lidhur me demantimin e lajmeve për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës, në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore në pajtim me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, duke iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, nga neni 426 të KPRK-së.”, thonë nga prokuroria.

Gjithashtu, në komunikatë thuhet se do të veprohet konform autorizimeve ligjore.

Kështu thuhet se kushdo që tenton dëmtimin e një profesi të tillë do të dalë para drejtësisë.

“Prokurori i Shtetit, do të veprojë në secilin rast ku cenohet interesi publik dhe shëndeti i qytetarëve, konform autorizimeve të tij ligjore, prandaj ju sigurojmë se kushdo që tenton ta dëmtojë një proces kaq delikat dhe konfidencial, do të përgjigjet para organeve të drejtësisë.​”, thotë prokuroria.

Dje “Insajderi” ka publikuar një hulumtim që thotë se ministri Vitia ka vonuar procesin e nënshkrimit të kontratës për të siguruar vaksinën anti-Covid.

Lidhur me këtë, Vitia i quajti “të pavërteta, dashakeqe dhe të dëmshme”, raportimet e “Insajderit”.

“Insajderi’ pas konferencës së mbrëmshme të Vitisë, ka publikuar edhe dokumentacione, ku shihen email-a të shkëmbyer me kompaninë “Pfizer dhe BioNTech”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se tendenca për…