Pas tre librave bestsellerë, Antigona Behrami boton të katërtin

20 prill 2022 | 18:15

Të rralla janë autoret nga Kosova që kanë sukses të shitjes së librave në Kosovë dhe në Evropë. Autorja më e njohur dhe më e suksesshme sot në Kosovë është Antigona Behrami nga Mitrovica, e cila, nëpërmjet librave me përmbajtje psikologjike dhe motivuese, po ndryshon stilin e jetës së njerëzve dhe konceptin e të menduarit dhe të vepruarit.

Pas botimit të librit “Përdore fuqinë që ke brenda”, botuar dy vjet më parë, Behrami vitin e kaluar ka botuar edhe dy libra të tjerë, “Ditarin transformues” dhe “Librin transformues”, të cilët, ashtu sikurse libri i saj i parë, për pak muaj janë bërë bestsellerë.

Suksesin për shitjen e tyre autorja e ka korrur edhe duke mbajtur ligjërata online dhe fizike për përmbajtjen e librave të vet dhe për tema të ndryshme nga jeta e përditshme me qindra qytetarë brenda dhe jashtë Kosovës, të cilët i shprehin shqetësime dhe kjo u jep propozime për ndryshimin e jetës nëpërmjet sfidave të përditshme që ua propozon.

Janë të shumtë mesazhet e urimit e të falënderimit që ia kanë dërguar klientët, shokët, miqtë dhe ata që kanë lexuar librat e saj.

Behrami tri ditë më parë ka dorëzuar në shtyp librin e ri, të katërtin me radhë, me titull “Metoda për një jetë magjike”, i cili, ende pa dalë nga shtypi, është porositur mijëra kopje nga libraritë dhe klientët.

Të gjithë të drejtat e botimit dhe të shitjes, për të katër librat, i ka autorja Antigona Behrami.

Botuesi i veprave të saj, Berat Armagedoni, në llogarinë e shtëpisë botuese në “Facebook”, ka shkruar për të dhe për librin e saj të ri që do të dalë nga shtypi këtë të premte: “Në Kosovë nuk ka autore më të suksesshme se Antigona Behrami. Ato librari që i shesin librat e saj, e njohin mirë suksesin e saj. Mijëra kopje të porositura ende pa dalë në shitje. E del prej shtypit, të premten. Të dielën s’do të na zë salla e konferencave e ‘Swiss Diamond’-it në Prishtinë. Porosinë për libra mund ta bëni vetëm tek autorja, e cila i ka të gjitha të drejtat”.

Fragment nga parathënia e librit “Metoda për një jetë magjike”

Në këtë libër do të gjeni shumë mësime që do t’ju ndihmojnë të liroheni nga limitimet që jua kanë caktuar të tjerët. Ky libër do t’ju ndihmojë ta shihni pasurinë që keni brenda vetes, bollëkun e mirësive. Do t’ju mundësojë të liroheni nga ankesat, pasiguritë, inati, urrejtja, xhelozia dhe nga çdo gjë që ul energjinë tuaj dhe pakëson dritën e zemrës suaj. Ky libër ju nxit ta jetoni një jetë të mirë dhe të lirë…

Në këtë libër kam përzgjedhur dhe përmbledhur disa prej historive të vërteta të disa njerëzve me të cilët bashkëpunoj që një kohë të gjatë. Po t’i përmblidhja të gjitha historitë e suksesit të tyre që m’i kanë rrëfyer, shkruar dhe dërguar, shtypshkronjat do të punonin me javë të tëra pasi që bëhet fjalë për mijëra faqe, mijëra rrëfime, për një horizont të gjerë e të pafund arritjesh…

Sapo ta lexoni këtë libër do të keni mundësi ta projektoni jetën që keni brenda.

Si mund të ndodhë kjo?

Lexojeni këtë libër dhe do ta mësoni metodën për jetën magjike.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni i punëve të jashtme të Parlamentit Evropian (PE) ka…