Pas vendimit për urdhër-arrest për Putinin nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, reagon Rusia

17 mars 2023 | 18:33

Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhër-arrest për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, duke e akuzuar atë se është përgjegjës për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina, që përbën krim lufte.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e cilësoi “skandaloz” vendimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare ndaj Putinit.

“Vetë çështja e ngritur [nga gjykata në Hagë] është skandaloze dhe e papranueshme. Rusia, së bashku me disa shtete të tjera, nuk e njeh juridiksionin e asaj gjykata, prandaj çdo vendim i këtij lloji për Rusinë nuk vlen nga aspekti ligjor”.

Ai nuk pranoi më shumë pyetje nga gazetarët për këtë çështje.

Ndërkaq, duke u përgjigjur lidhur me urdhër-arrestin ndaj Putinit, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse tha se ky urdhër-arrest “nuk ka kurrfarë rëndësie”, raporton REL.

“Vendimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare nuk kanë asnjë rëndësi për shtetin tonë, përfshirë edhe nga aspekti ligjor”, tha Maria Zakharova përmes një postimi në Telegram.

“Rusia nuk është palë e Statusit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe nuk ka asnjë obligim sipas këtij statusi. Rusia nuk bashkëpunon me këtë trup, dhe ‘recetat’ e mundshme për arrestime që vijnë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare ligjërisht do të jenë të pavlefshme për ne”.

As Rusia, e as Ukraina nuk janë anëtare të Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Kievi, megjithatë, i ka dhënë juridiksioni kësaj gjykate që të ndjekë krimet e kryera në territorin e saj që kur Moska nisi pushtimin vitin e kaluar.

Gjykata Penale Ndërkombëtare, e përbërë nga 123 anëtarë, nuk ka forcë të saj policore për të zbatuar urdhër-arrestet, por varet nga shtetet anëtare që të arrestojnë të dyshuarit për t’i sjellë më pas për gjykim në Hagë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhër-arrest për presidentin e Rusisë,…