Pasurohet lista e aseteve të trashëgimisë shpirtërore

13 tetor 17:05

Kosova ka një të kaluar të begatë me vlerat e saj të larmishme të trashëgimisë, që e begaton larushinë dhe diversitetin tonë kulturor. Kjo trashëgimi kulturore, e krijuar në shekuj e në vijimësi nga paraardhësit tanë, është ruajtur dhe mbrojtur duke u përcjell brez pas brezi.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka thënë se në 100 ditët e angazhimit të saj si ministre në Qeverinë Hoti ka vendosur si prioritet politik trashëgiminë kulturore, me fokus të veçantë në trashëgiminë shpirtërore me qëllim mbrojtjen dhe promovimin e diversitetit tonë kulturo.

“Vlerë kjo shumë e rëndësishme për afrimin e komuniteteve dhe për përmirësimin e dialogut mes kulturave të ndryshme”, është shprehur Dumoshi.

Ajo ka thënë se si rezultat i kësaj pune, lista e aseteve në mbrojtje të përkohshme e publikuar më 10.10.2020 përveç tjerash është pasuruar me tetë asete të reja të trashëgimisë kulturore shpirtërore të cilat prezantojnë njohuritë dhe krijimtarinë popullore nga individë dhe grupe shoqërore.

Asetet e përfshira në listë janë: Pleqnia në odat e Dukagjinit, Këngë vajtimi ‘Gjama e Burrave’, Këngë për krye krahi – Malësorçe, Këngë me Lahutë, Këngë e Tepsisë të propozuara nga QRTK Pejë; Mësiti në Shalën e Bajgorës, Kangagjeqi në Shalën e Bajgorës dhe Dasma në Shalën e Bajgorës të propozuara nga QRTK Mitrovicë janë përfshirë në një njësi; Flaka e Janarit, propozim i QRTK Gjilan; dhe Çiftelia dhe Teleisja, si fryti i parë i bashkëpunimit formal me Institutin Albanologjik.

“MKRS, me përkushtim të madh do t’i mbështes kërkesat e qytetarëve, institucioneve, organizatave, që të sjellin propozimet e tyre në pasurimin e listës së trashëgimisë shpirtërore e materiale, në mënyrë që këtë trashëgimi ta ruajmë dhe ta përcjellim për gjeneratat e reja”, ka thënë ministrja Dumoshi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti i njohur portugez, Cristiano Ronaldo ka dalë pozitiv në…