Patriotët e leshit dhe kurvat politike të Kurveleshit!

05 shkurt 2019 | 11:11

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Po ku je, Adem Demaçi: Adem Demaçi, siç e quajnë patriotët e leshit dhe kurvat politike të Kurveleshit, bëri më shumë se 28 vjet burg në llogoret e ish-Jugosllavisë së kriminelëve Tito dhe Millosheviq në kohën kur shumë të tillë që i kanë shërbyer Jugosllavisë dhe Serbisë, sot, në Kosovën e martirizuar, janë bartës të posteve të larta politike dhe të cilët nuk i kanë merituar me asgjë, përveç me shërbimin qençe ndaj atyre që kanë keqtrajtuar, arrestuar, dënuar dhe vrarë shqiptarë! Këta maskarenj dhe injorantë e gëzojnë përkrahjen 100 % të ish-patriotëve dhe ish-shokëve të Bacës Adem Demaçi siç e quajmë ne, që të zhveshur nga patriotizmi, së paku e kemi ruajtur një respekt për Bacën e Madh që na frymëzoi të zhargitemi rrugës së rëndë drejt lirisë, çlirimit dhe bashkimit kombëtar.

Baca Adem, sa ishim në burgjet e ish-Jugosllavisë, dikur si atdhedashës, tash të shndërruar në karrieristë të paskrupullt, na mësoi dhe na bindi se burgu nuk është vuajtje, por se është detyrë njerëzore, kombëtare dhe morale prandaj, të gjithë që e pranuam këtë filozofi, e kaluam burgun shumë lehtë, përkundër torturave që ndaj nesh ushtronin paraardhësit biologjikë të disa këshilltarëve të Hashim Thaçit, Ramushit dhe Kadrisë. Baca na mësonte se në rrugën drejt lirisë nuk ka pengesa të pakapërcyeshme dhe se asnjë vështirësi nuk ia vlen të përmendet përballë asaj që na takon ta bëjmë. Kështu, burgun e kaluam bukur lehtë dhe, te së paku 90% e ish të burgosurve politikë nuk kishte asnjë mëdyshje se si duhet të veprohet pasi të dalim nga një burg i vogël, në një burg të madh siç ishte Kosova.

Këtë Baca Adem e pati thënë në shumë raste, gjatë intervistave dhe takimeve të ndryshme. Shokët që e respektuan Bacën Adem nuk dështuan kurrë dhe nuk kishin si të dështonin sepse kishin kaluar nëpër një Akademi Jetësore Praktike, përvojat e së cilës nuk mund t’i ofronin të gjitha akademitë botërore. Nuk mund të dështonin kurrë dhe asnjëherë: Rexhep Mala, Remzi Ademaj, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Xhavit Haziri dhe Hafir Shala, Shaban Shala, Tahir Hani dhe Skender Kastrati, Zahir Pajaziti, Shashivar Makolli dhe Bajrush Behrami dhe qindra dhe mijëra heronj dhe martirë të Kosovës që, pushtetin moral dhe kombëtar nuk e ndërronin me asnjë pushtet fizik dhe material për të cilën u bënë copë e grimë alamet luftëtarë dhe komandantë të luftës së fundit, disa edhe vetë ish të burgosur politikë!

Baca Adem Demaçi asnjëherë nuk e deshi pushtetin, prandaj nuk e sfidoi Rugovën duke na këshilluar të votojmë për të në zgjedhjet e para përkundër faktit që ish të burgosurit politikë, në atë kohë ishin në kulmin e popullaritetit dhe, po të donte Baca Adem, skena politike do të përçahej shumë keq, aq më parë që në radhët e LDK-së, përkatësisht në majat e saj, kishte shumë torturues të shqiptarëve liridashës, zyrtarë të lartë komunistë të Jugosllavisë dhe Serbisë, udbash dhe hetues policorë, prokurorë dhe gjyqtarë që e kishin dënuar edhe vetë Bacën Adem si dhe të atillë që kishin vrarë patriotë shqiptarë, në Kosovë dhe diasporë. Ata në fillim ishin bërthama e LDK-së e pastaj, ose ata vetë, ose bijtë dhe bijat e tyre, u sistemuan si më së miri të ish-liderët e UÇK-së, të konvertuar në politikanë dhe bartës të posteve të larta.

 Dashuria dhe respekti nga një distancë e sigurt: Bacën Adem kurrë nuk e trajtuan në përputhje me sakrificën dhe kontributin kombëtar, përkundrazi, është personaliteti që më së shumti u keqtrajtua pikërisht nga ata që kanë pasur detyrim ta përkrahin dhe mbështesin. Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, e përbërë kryesisht nga komunistët sllavë të LDK-së dhe disa analfabetë të krahut të luftës, kurrë nuk u gjet një vend për Bacën Adem Demaçin përveçse organizuan fushata të ndyra kundër Bacës.

Në asnjë legjislaturë të Kuvendit të Kosovës kurrë nuk u lejua që Baca Adem ta ketë një pozitë, qoftë edhe nderi, e lëre më të jetë deputet, ndonëse aty kishte deputetë që tërë kohën, vetë dhe me kotillën e tyre, kishin punuar kundër shqiptarëve dhe në dobi të serbëve, rusëve, grekëve dhe “miqve” të mëdhenj të shqiptarëve. Nuk ka mbetur kush pa folur dhe pa përrallisur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës duke iu organizuar edhe seanca solemne por, asnjëherë nuk i ishte mundësuar Bacës Adem t’iu drejtohet të “zgjedhurve” të popullit dhe qytetarëve të Kosovës.

Asnjëherë, merreni me mend! Kur, me një propozim të Bleron Baraliut, Baca Adem pranoi të hyjë në garë për president të Kosovës për ta sfiduar patriotin e madh të Kazakistanit, Gjet Pacollin, ata që pritej ta përkrahnin më së shumti, edhe e penguan me çdo mjet dhe me çdo kusht mundësinë që Baca të bëhej president i Kosovës, jo pse vdiste për këtë post, por se nuk donte të fuqizohej ndikimi i Rusisë dhe Serbisë në Kosovë përmes bajpasit Kazakistan; Albini e kushtëzoi përkrahjen për Bacën me zotimin e Bacës se do ta rrëzonte nga pushteti Hashim Thaçin, mbase për të ardhur vetë në pushtet e që Baca nuk pranoi kushtëzimin, kurse Hashim Thaçi-Pehlivani, siç e quante Baci, e angazhoi krejt Zonën Operative të Drenicës, ambasadorin Dell dhe rrugaçin Pushikar, në përkrahje të patriotit të Kazakistanit dhe në kundërshtim të Bacës Adem.

Në atë kohë PDK, si parti e krahut të luftës, e luajti një rol prej kurve politike duke u rreshtuar në anën e Pacollit. Në mos e tëra, atëherë pjesa më e madhe e saj. Dhe, me tërë këtë përkrahje, Pacolli jo që do të bëhej president i Kosovës, por do të bëhej edhe president i Amerikës. Përndjekja ndaj Bacës ka vazhduar me intensitet të luhatshëm, varësisht nga situata politike. Por, gjithmonë kundër Bacës, në ndërkohë që thirreshin në emër të Bacës! Realisht u krijua një përshtypje se me Bacën Adem po manipulon krahu i luftës e që nuk ishte fare e vërtetë; nuk ka pasur bir nëne apo politikë që ka mundur ta manipulojë Bacën Adem por Baca, për interes kombëtar dhe shtetëror, ka qenë në gjendje të bëjë çdo gjë që është kërkuar nga ndërgjegjja dhe vetëdija e tij e lartë njerëzore dhe kombëtare. Baca Adem ka dhënë prova që nuk i kishte dhënë asnjë lider apo lideruc shqiptar dhe kosovar. Po i përmendi vetëm disa:

  1. E pranoi udhëheqjen politike për UÇK-në në kohën kur asnjëri nuk kishte guxim të bënte këtë;
  2. Nuk pranoi të shkonte në Rambuje për të “biseduar” për 8 pikat e panegociueshme ku garantohej autonomia substanciale, asgjë më shumë;
  3. Dha dorëheqje nga Përfaqësuesi Politik i UÇK-së sepse, sipas Bacës, nuk donte të bëhej “shef i pisarnicës” të disa injorantëve që nuk merrnin vesh në politikë, ndërsa kishin pretendime se ishin më të zotët se vet Winston Churchilli;
  4. Nuk e pranoi ofertën mashtruese të Bernard Kushnerit për pajtim të pakushtëzuar me Serbinë sepse parashtroi kushte krejtësisht normale dhe, të cilat, Kushneri tha se nuk janë të pranueshme për Serbinë;
  5. Ia bëri 8 me 2 Vuk Drashkoviqit në Beograd duke ia thënë fjalët që disa trimosha të sotëm nuk kanë pasur guxim t’ia thonë as vetvetes;
  6. U angazhua për të drejtat e pakicave në Kosovë kur ato ishin të rrezikuara duke kaluar në anën e tyre në kohën kur disa që bartnin apo kanë poste politike e akuzonin se do ta kolonizojë Kosovën me serbë;
  7. E pushkatuan për Rambujenë, Olbrajti, Surroi, Kadareja, krejt LDK-ja dhe një pjesë karrieriste e krahut të luftës, skajshmërisht të kriminalizuar dhe të korruptuar;
  8. E pushkatuan në Beograd kur nuk e ndante mendjen me Gelbartin, Rugovën dhe Holbrukun, se UÇK-ja është organizatë terroriste dhe jo ushtri çlirimtare;
  9. Dha dorëheqje të menjëhershme nga kryetari i Bordit të RTK-së kur një politikan i shthurur kombëtarisht dhe moralisht ia censuroi fjalën në një manifestim.

Për mua mbeti emblematik dhe këso personalitete, së bashku me Adem Jasharin, lindin një herë në një mijë (1 000) vjet. Ndërkaq hashima, behxheta, begjeta, isa dhe pisa, lindin për çdo ditë. Më mirë do të ishte të mos lindnin fare!

 Turpi i të jetuarit dhe krenaria e përjetësisë: Si çdo qenie e krijuar nga Zoti e që vjen në këtë botë me një mision të caktuar, edhe Bacës Adem i qe shkruar ta çojë deri në fund sakrificën për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar, duke u flijuar deri në vetëmohim me të cilin, shumë vetë pameritueshëm kanë përfituar dhe e kanë sulmuar. Në mesin e vdekatarëve të rëndomtë vlerësohet jetëgjatësia fizike dhe mënyra e të jetuarit që nënkupton një grykësi të pashembullt. Këta janë frikacakë që nuk kanë as një të sotme e lëre më një të ardhme. Këta bëhen numër në statistikat e përgjithshme kur duhet të çregjistrohen nga lista e përfituesve të pensionit. Këta nuk i përmend askush pasi të shkojnë nga kjo botë! Këta janë shumica në botë dhe në Kosovë. Janë shumica absolute.

Janë kufoma të gjalla të mbështjella me qefinët e markave më të njohura që lakmojnë shkëlqimin e kamerave, gostitë ku rrasen së ngrëni, shfrytëzimin e gjendjes së njerëzve në nevojë! Këta janë patriotët e leshit, të shoqëruar me kurva të Kurveleshit! Të gjitha këto i bëjnë nën petkun e patriotit, çlirimtarit dhe kalamarit! Këtyre nuk iu intereson përmbajtja, sepse nuk e kanë, por u intereson dukja! Ose, siç thoshte gjeniu Lasgush Poradeci, nga plehrat dalin plehra! Ndërkaq, kalorësit e përjetshëm të lirisë, asnjëherë nuk ndalen, as në këtë botë e as në tjetrën. I tillë ishte dhe mbeti Bacë Adem Demaçi, Adem Jashari dhe të gjithë ata që e dhanë jetën për liri apo, edhe kur u fitua liria, e ruajtën fytyrën, jo si pamje, por si vlerë. Këta janë ata që e fituan përjetësinë dhe jo që dikush ua ndau përjetësinë. Nuk ka asnjë dilemë midis asaj të qenit pjesë e përjetësisë dhe asaj të qenit kufomë e gjallë. Dikush këtë po e kupton ndryshe. U qoftë për hair përcaktimi!

 Parkingjet e Shpendit dhe siguria e qytetarëve: Shpend Ahmeti, gjatë fushatës elektorale, në mesin e shumë premtimeve, dy prej tyre i kishte të forta: sigurinë e qytetarëve dhe sigurimin e parkingjeve, mbitokësore dhe nëntokësore. Të parin e përmbushi plotësisht, kurse të dytin vetëm pjesërisht. Për sigurinë e qytetarëve siguroi një armatë qensh duke u nisur nga parimi se qeni është miku më besnik ndaj njeriut.

Tash, sidomos në Prishtinë, një qen i regjistruar me numër në vesh, e që identifikohet si qeni i Shpendit, kujdeset për sigurinë e qytetarëve të kryeqytetit, përkatësisht për çdo kokë banori në Prishtinë, përjashtuar këtu ardhacakët apo turistët njëditorë keni siguri në proporcion; një qen i Shpendit, për 8 banorë të kryeqytetit! Këtë siguri nuk e keni as në Uashington, Vjen, Berlin, Londër apo gjetiu. Sa iu përket parkingjeve, ndërtimi i parkingut nëntokësor te filozofiku apo Katedralja e Himë Govës duhet të përshpejtohet për faktin se Kisha Katolike ka hapur një qendër tregtare në kuadër të aktiviteteve shpirtërore, prandaj ka nevojë për rritje të kapaciteteve; më pak për besimtarë (janë numër simbolikë) dhe më shumë për konsumatorë (numri i tyre po rritet).

Deri atëherë mund ta shfrytëzoni, pa pagesë, parkingun alternativ te Varrezat e Dëshmorëve, përkatësisht mund t’i parkoni veturat, kombibusët, kamionët apo qerret te varri i Bacës Adem Demaçi, Heroit të Kosovës dhe Nderit të Kombit. Turpi raftë mbi të gjithë juve! Por edhe mbi neve, shokëve të sinqertë të Bacës Adem! Shiheni edhe varrin e gjeneral Shaban Shalës; për më shumë se shtatë (7) vjet, vetëm një dërrasë me emrin e tij. Marre e madhe, jo për pushtetin, po për shokët e Shaban Shalës ku edhe unë bëj pjesë!

 Kuvendi i Kosovës dhe diberët e Jakovës: Në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës bëhej një luftë gladiatorësh, kush do të rruajë mjete më shumë për partinë, lagjen, fshatin, kushëririn apo votuesit potencialë. Në mungesë të Behgjet Pacollit, vetëm një prej tyre reflektoi si duhej dhe rrezatonte nga sinqeriteti dhe ndershmëria; luftëtari i orëve të para të UÇK-së, intelektuali i madh i përmasave kombëtare, komandant “Kamishi” apo, që më pak e njohin me emër dhe mbiemër, Bekim Haxhiu.

I njohur si luftëtar i shquar i luftës çlirimtare për çka edhe u bë komandant “Kamishi”, gjatë luftës dhe intelektual i shquar që po kontribuon për ndërtimin e paqes për ngritjen e brezave të rinj si ligjërues ekselent në Fakultetin e Mjekësisë, me tituj akademikë dhe shkencorë e ka edhe një shpirt sportisti sipas parimit, në trupin e shëndoshë, mendja e shëndoshë. Këtë e dëshmoi edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit, kur pamëshirshëm dhunohej buxheti i Kosovës. Ai, në mbrojtje të sportit, propozoi që në qendër të Prishtinës të ngrihet shtatorja e Fadil Avdullah Vokrrit, ish-futbollistit të shquar dhe lobistit për pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në FIFA.

Në kërkesën e tij ishte shumë modest, duke kërkuar një shumë simbolike prej 200 000 eurosh e që u pranua nga Kuvendi i Kosovës. Prishtinës i duhet edhe Fadil Vokrri sepse ka kontribuar më shumë për Kosovën sesa përmendorja para Kuvendit. I duhen edhe disa përmendore si ajo e Aganit, Rrahman Morinës dhe Azem Vllasit, madje për së gjalli. Prishtina nuk ka nevojë për përmendore të Bacës Adem Demaçi dhe komandantit legjendar, Adem Jashari. Marre ju qoftë, jo krahut të luftës, prej të cilëve as që kam pritur të dalin me një propozim të tillë. Ndërgjegjja është në pyetje, vëlla. Më ka befasuar shumë keq Ismet Beqiri sepse kam pritur se ai do të flasë në emër të heronjve të kombit dhe vlerave kombëtare. Për shkak të së kaluarës së tij, e sidomos së tashmes! Bravo Bekim Haxhiu, “Kamish”, se mbi këto llullat qyqare dëshmove patriotizëm dhe intelektualizëm. Moti ka përfunduar lufta. Jeta e ëmbël është. Më e mirë se kujtimet e hidhura.

JU, HORRA TË HORRASANIT DHE PATRIOTË TË KAZAKISTANIT!

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia Kufitare në Leposaviq ka ndaluar dy të dyshuar shtetas…