Pavarësia e Kosovës në dekadën e dytë

14 shkurt 2019 | 11:10

Salihe Salihu – PhD kandidat

Kosova shtet i pavarur dhe sovran hyri në dekadën e dytë me sfida të reja. Tani në këtë 11-vjetor të Kosovës sovrane jemi në një prag sa të mundshëm aq edhe sfidues për arritjen drejt cakut të dëshiruar. Ky dualitet shfaqet meqë shumëçka që është e mundshme dhe tërësisht në harmoni me vullnetin dhe nevojat e Kosovës has në pengesa në rrugëtim e sipër.

Në këtë vështrim së pari dihet se vullneti i popullit të Kosovës është që në dekadën e dytë të prezantohemi si një shtet sovran me kapacitete të fuqishme. Së dyti, krahas vullnetit, ndihet nevoja që Kosova ta ketë portretin e vet të pastër si shtet sovran dhe me këtë të mbajë një imazh të mirë në arenën ndërkombëtare. Mirëpo, që të dyja këto aspirata janë penguar dhe janë vënë në sprovë. Pengesat dhe shkaktarët që pengojnë për ta fuqizuar edhe më tej sovranitetin e Kosovës ndahen në dy kategori. Në kategorinë e parë hynë faktorët e brendshëm, në kategorinë e dytë hynë faktorët e jashtëm.

  1. Në kategorinë e parë grupohen marrëdhëniet në mes të partive politike dhe sjelljeve të tyre karshi sovranitetit të Kosovës. Të gjitha partitë shqiptare dhe minoritare, përveç Listës Serbe, janë të unifikuar për mbrojtjen dhe fuqizimin e sovranitetit të Kosovës në ecjen e saj në dekadën e re. Mirëpo në deklarimet dhe sjelljet e tyre kanë një diskongruencë të dukshme. Sjelljet e disa politikanëve kanë nevojë të rikorrigjohen dhe të jenë në përputhje me deklarimet e tyre sepse, përndryshe, i ngjason shprehjes së moçme të hoxhallarëve: “Bëj çka të them unë, por mos bëj çka bëj unë”. Kredibiliteti i disa aktorëve politikë është zbehur në masë të gjerë. Mjerisht, disa politikanë me sjelljet e tyre, si në sferën private dhe në atë publike, qysh në dekadën e parë kanë humbur totalisht kredibilitetin e tyre për të qenë prijës apo për të vazhduar të jenë përfaqësues të popullit në vijimësinë e dekadës së dytë. Prijësit e dekadës së dytë të sovranitetit të Kosovës duhet të jenë prijës apo politikanë/e që dëshmojnë se janë të devotshëm në mbrojtje të vlerave demokratike dhe me shembullin e tyre personal të krijojnë një kulturë të respektimit të kodeve moralo-etike në rrafshin privat dhe publik. Me këto cilësi do të rritet kredibiliteti i tyre para popullit dhe do të fuqizohet zëri i tyre si përfaqësues. Ecja dhe veprimet e drejtpeshuara pa cenimin e kodeve moralo-etike dhe ruajtja e kultivimi i tyre është bazamenti dhe busulla që duhet të jetë e përdorshme në përditshmërinë e sjelljeve të politikanëve të cilët, mbi gjithçka, duhet të mendojnë në radhë të parë për fuqizimin e sovranitetit të Kosovës. Duke e ngrehur kredibiltetin dhe duke përfaqësuar dinjitetshëm, do të jemi zëri me sovranitet më të fuqishëm ndaj çdo sfide që do të përballemi për ta fuqizuar dhe për ta ranguar Kosovën sovrane me imazh të mirë në arenën ndërkombëtare.

 

  1. Në kategorinë e dytë grupohet marrëdhënia në nivel ndërkombëtar, ku duket qartazi se Kosova në njërën anë ka miq, por ka edhe armiq të përbetuar shekullorë të cilët në të gjitha format e tyre tentojnë ta bllokojnë sovranitetin e Kosovës nga çdo zhvillim progresiv. Serbia në koordinim me Rusinë janë fiksuar për ta rrënuar sovranitetin e Kosovës. Në këtë betejë Serbia dhe Rusia i kanë puq interesat e tyre duke unifikuar veprimet e tyre që t’i përmbushin interesat e tyre. Këto dy shtete me qëllime obstruksioniste kanë investuar për një luftë speciale të rafinuar mediatike kundër sovranitetit të Kosovës për të fituar epërsi dominuese në dy rrafshe.

Në njërin rrafsh Rusia synon që përmes Serbisë ta ketë ndikimin politik dhe të pozicionohet si një fuqi dominuese në Ballkan. Në vazhdën e këtyre përpjekjeve, duke shfrytëzuar pakënaqësitë e qytetarëve ndaj parregullsive të qeverisjeve në shtetet respektove, kanë shpërthyer trazira. Rusia arriti të nxisë dhe mobilizojë masa protestuesish në disa shtete. Protesta e të pakënaqurave shpërthenin sa në njërin shtet për të vazhduar në shtetin tjetër, për shembull në Mal të Zi, Maqedoni, Shqipëri dhe Serbi.

Makineria mediatike e përsosur ruso-serbe me këto manovra është unifikuar për destabilizim sa më të gjerë jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë dhe me këtë, në fakt, ka arritur deri në një farë shkalle që ta çekuilibrojë diskursin politik në nivel ndërkombëtar. Momentalisht ky çekuilibrim është goxha evident në Unionin Europian por, megjithëkëtë, kjo goditje nuk arriti ta përmbysë gjithë procesin e nisur, ndonëse e pengoi shtimin e politikës evropiane për t’i dëshmuar kapacitetet e veta vendimmarrëse.

Gjendja e tanishme ndërkombëtare është analogjike me gjendjen gjatë Luftës së Ftohtë, kur poli demokratik me polin komunist zhvilluan luftë të ftohtë duke iu shmangur luftës frontale deri në rënien e murit të Berlinit. Ndërsa tani, skenari i së ardhmes evropiane duket shumë konfuzional dhe me një pamje të ngrysur. Prandaj nevojitet një ndriçim dhe vendosmëri për të qëndruar përballë çdo tensionimi që po shfaqet në dimensionin e marrëdhënieve të superfuqive dhe influencave të tyre. Ballkani si rajon me prejardhje konfliktuoze duhet të jetë tejet i kujdesshme për mbajtjen e balancimit të marrëdhënieve ndëretnike e ndërrajonale si dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Mirëpo, sado që gjendja duket se është përkeqësuar, procesi i integrimeve po vazhdon. Republika e Maqedonisë Veriore po dëshmon se, pavarësisht prej vështirësive, është i mundshëm marshimi drejt rrugës së integrimeve. Porse, në këtë proces Kosova sovrane po qëndron në “standby” për ta shtuar ecjen e saj në këtë proces integrues sikurse shteti fqinj.

Pa asnjë hezitim, Kosova sovrane në dekadën e dytë duhet të jetë më proaktive dhe të demonstrojë një politikë më këmbëngulëse për fuqizimin e sovranitetit gjatë vitit 2019, vit që simbolizon 100-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes me Traktatin e Versajës të vitit 1919, duke insistuar që të arrihet marrëveshje përfundimtare që do ta sigurojë paqen në mes të Serbisë dhe Kosovës.

Lufta e paqes është më e vështirë se lufta e armatosur, por është imperative për ekzistencën e sovranitetit të Kosovës.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, pret sot në Soçi homologët…