PDK DHE AAK-PSD DUHET TA VOTOJNË QEVERINË KURTI PA ASNJË KUSHT!

08 tetor 2019 | 11:03

Shkruan: Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

 Kaluan ethet zgjedhore: Zgjedhjet e 6 tetorit përfunduan si më mirë, pa probleme dhe duke u respektuar vullneti i votuesit – qytetarit. Ishin do befasi por, të cilat, me një analizë jo fort të thellë, do të konsideroheshin si përfundim normal dhe real e jo befasi. Në shkrimin për gazetën “Epoka e Re” të datës 5 tetor 2019 kam dhënë dy parashikime të rezultateve e që i kam ndërlidhur me përqindjen e atyre që do të votojnë: 1) nëse në këto zgjedhje do të dilnin 35 ose pak më shumë se kjo shifër, PDK-ja do të ishte fituese, LDK-ja e dyta, kurse LV-ja e treta. Nëse në zgjedhje do të dilnin 42 për qind  e më shumë, fituese e padiskutueshme do të jetë LV-ja, e dyta LDK-ja, kurse në vendin e tretë do të ishte PDK-ja. Ashtu edhe doli. Gjithashtu kam parashikuar se Nisma pa AKR-në e kalon pragun pa asnjë problem, kurse Nisma me AKR-në nuk e kalon. Në momentin kur doli se në zgjedhje kanë votuar mbi 44 për qind, nuk kam pasur dilema për fituesin, për të dytin dhe të tretin. Kur u bënë publike 15 për qind të votave nga KQZ-ja e kam uruar Albulena Haxhiun dhe Glaukun për fitore, kurse Albinin jo sepse nuk kam pasur numër të telefonit, ndërkohë që nuk kam fare faqe në rrjetet sociale. Pas zgjedhjeve është thuaja normale që të gjithë deklarohen si fitues andaj e kuptoj Abelardin. Kadri Veseli bëri mirë që menjëherë i pranoi rezultatet dhe u deklarua se do të kalojë në opozitë. Besoj shumë opozitë konstruktive. Mendoj se të gjithë liderët e partive politike është dashur ta urojnë Albin Kurtin për fitore dhe ky është testi më i mirë i demokracisë. Për më keq, edhe pas fitores disa media u munduan ta njollosin Albin Kurtin duke e ndërlidhur me Rusinë dhe Serbinë dhe duke e vënë në pozitë se qenka kundër Perëndimit. Unë me Albinin një kohë të gjatë nuk kam pasur ndonjë afri politike, mirëpo asnjëherë nuk e kam mohuar patriotizmin, trimërinë, intelektualizmin dhe njohuritë politike. Dhe, në asnjë rast nuk e kam vënë në dyshim gatishmërinë e tij për sakrificë.

 

Pse fitoi LV-ja dhe pse nuk fituan LDK-ja, PDK-ja, AAK-PSD dhe Nisma-AKR:

1.Lëvizja Vetëvendosje: LV ishte shumë këmbëngulëse për realizimin e qëllimeve dhe me mjeshtëri e materializoi çdo gabim të kundërshtarëve politikë. Fitorja e LV-së mund të konsiderohet si fitore personale e Albin Kurtit i cili që nga rezistenca studentore kundër Serbisë, si sekretar i Zyrës së Përfaqësuesit Politik të UÇK-së që udhëhiqej nga Baca Adem Demaçi, burgjeve në Serbi, përmes protestave ndaj UNMIK-ut, EULEX-it dhe partive kosovare në pozitë, më shumë e kaloi kohën duke u keqtrajtuar nga policia dhe politika sikur edhe në burgje sesa që kaloi me familjen dhe familjarët. Fillimisht e kundërshtoi procesin e decentralizimit, demarkacionit, Gjykatën Speciale, bisedimet pa kushte me Serbinë. Albin Kurti, duke ofruar tema sociale e në kushte të një papunësie ekstreme, kryesisht të të rinjve dhe bashkimin kombëtar, fitoi përkrahjen e të rinjve sikur edhe patriotëve që ishin sakrifikuar për bashkim kombëtar. Pasuesit e Albin Kurtit ishin fanatikë, të gatshëm për sakrificë dhe të gatshëm të punojnë si vullnetarë, në çdo kohë dhe në të gjitha kushtet. Albini e preku dellin e duhur duke punuar me diasporën në kohën kur askush nga liderët e tjerë nuk u takua me diasporën. Dhe, për dallim nga të tjerët, Albin Kurti kishte një oratori të jashtëzakonshme krahasuar me të tjerët e që e bënte të dominojë thuaja në të gjitha debatet. Kur Hashim Thaçi, në vend të kafesë së mëngjesit na servonte ndryshimin e kufijve dhe këmbim të territoreve me Serbinë, Albini dhe LV-ja, por edhe AAK-ja, ishin të pakompromis, pa lënë, për dallim nga të tjerët, asnjë mëdyshje. Albin Kurti dhe LV-ja dëshmuan se kanë kapacitet të jashtëzakonshëm organizativ e sidomos regjenerativ kur u larguan 12 deputetë që tashmë e blenë partinë nga Kaçusha Jashari. Të gjithë menduan se e pati puna e Albinit dhe LV-së por, doli e kundërta, LV-ja u forcua edhe më shumë. Po të mos ishin bisedimet me Serbinë dhe kushtëzimi që iu bëhet nga ndërkombëtarët, fitorja e LV-së do të ishte e madhe, në rastin e rrethanave ekzistuese llogaritet si fitore e Pirros. Sido që të jetë, me Albin Kurtin mund edhe të mos pajtoheni, por duhet ta respektoni për faktin se ai ka kurriz dhe nuk iu nënshtrohet presioneve që e dëmtojnë interesin e kombit dhe të shtetit, në asnjë rrethanë dhe me asnjë kusht. Është i pazëvendësueshëm në bisedime me Serbinë!

2.Lidhja Demokratike e Kosovës: Asgjë nuk i bashkon me LV-në dhe Albin Kurtin, as e kaluara kombëtare e politike, as gatishmëria për sakrificë e as që kanë kapacitet vendimmarrës, si Albini. E vetmja çështje që i ka bashkuar dhe që e kanë arritur është, pse mos ta themi, jo mosdurim, por urrejtje e hapur ndaj PDK-së. LDK-ja tërë fushatën zgjedhore e ka ndërtuar kundër PDK-së dhe krahut të luftës dhe tërë shpresën e ka varur te Vjosa Osmani duke menduar se si një femër e dalluar do ta bëjë diferencën me të tjerët dhe do t’i fitojë zgjedhjet e që nuk doli të jetë ashtu. Gabimi tjetër i LDK-së ishte se manipulonte me Ibrahim Rugovën dhe vrasjet e pasqaruara pas luftës që i konsideron politike, pa bërë asnjë hetim. Në këtë kontekst e bëri listën shumë nepotiste. Isa Mustafa e bëri një lojë edhe me Lutfi Hazirin edhe me Vjosa Osmanin duke ua dhënë mundësinë të cilën nuk e materializuan. LDK-ja nuk kishte fushatë të duhur, kishte fjalor përjashtues dhe të dhunshëm që nuk shkonte me këtë parti. Pavarësisht se doli e dyta, LDK-ja ka pozicion të fuqishëm negociues, pa LDK-në as që mund të bëhet Qeveria e as Albin Kurti kryeministër. Po të ishte Begja në vend të Isa Mustafës, në këtë situatë do t’ia rruante LV-së 70-80 për qind të ministrive. LDK-së ia humbën zgjedhjet Gjilani, Ferizaj dhe Mitrovica. Kam një bindje se një numër i votuesve të LDK-së, por edhe disa struktura të LDK-së ndihen të terrorizuar nëse Qeverinë e udhëheq Albin Kurti. Por pushteti ju ndërron shumë, prandaj edhe humbja është fort e dhimbshme. Koalicioni LV-LDK, nëse merren vesh, mund të bëjë punë të mira . Por të mos ngutemi, le të presim. Për LDK-në është e rëndë që nuk e ka fituar asnjë post kryesor; president është Hashim Thaçi-Shima , kryeministër Albin Kurti sikur që LV e ka edhe kryetarin e Kuvendit të cilin mund t’ia jap LDK-së si dhuratë për koalicion. Në këtë rast, ky post nuk do të ishte i fituar nga LDK-ja, por do të ishte i falur nga LV-ja. Albini parashikoi drejt: Albini kryeministër, Vjosa Osmani kryetare e Kuvendit.

3.Partia Demokratike e Kosovës: Krahasuar me zgjedhjet e fundit nuk ka rënie, por rritje. Krahasuar me disponimin kundër saj, thuaja gjeneral, del të ketë kaluar shumë mirë. Në të gjitha shkrimet e mia në dy muajt e fundit kam thënë se po të isha në vend të Kadri Veselit do të kaloja në opozitë pavarësisht prej rezultateve. PDK-ja humbi zgjedhjet sepse u mishërua në pushtet dhe mendonte se është e parapaguar për pushtet. PDK-në e ka dëmtuar shumë demarkacioni, Gjykata Speciale dhe Hashim Thaçi me idenë për korrigjim të kufijve. PDK-ja e kishte organizimin e mirë në terren, bëri fushatë të mirë, listat ishin mjaft të mira hiç këtu disa persona të stërshpenzuar, të korruptuar dhe kompromituar sikur edhe përpjekjeve për ta legalizuar trashëgiminë familjare. PDK-ja ishte parti me dy kryetarë, Kadri Veselin me letra, kurse Hashim Thaçi me forcë dhe ndikim. PDK-ja humbi shumë për faktin se e humbi besimin te partitë e tjera, sidomos të LDK-ja e që po i hakmerret. Për mendimin tim, hiç këtu humbjen e pushtetit edhe në mandatin e kaluar nuk kishte ndonjë pushtet, PDK-ja është fituese strategjike shkaku se, ndonëse është shumë kontribuuese për disa procese që e kanë dëmtuar dhe e dëmtojnë Kosovën, tash si opozitë po lahet nga çdo përgjegjësi duke ua lënë LV-së dhe LDK-së nëse merren vesh për bashkëqeverisje, këmbët e Hashimit. Nuk kam dyshim se PDK-ja do të jetë opozitë konstruktive nëse pozita sillet mirë. Nëse pozita do të përpiqet të hakmerret atëherë Qeveria nuk do të ketë jetë të gjatë për faktin se do të bllokohej nga partitë që kanë kapacitet të madh destabilizues. Shpresoj të mos ndodhë kështu.

4.AAK – PSD: Nuk i përmbushi pritjet e mia. Kam qenë i bindur se do të përfundojë në vendin e katërt, por se do të ketë së paku 17-18 për qind të votave. Arsyet e kësaj rënie janë demarkacioni me Malin e Zi dhe koalicioni me PSD-në. Po të shkonte e vetme, sigurisht se do ta kalonte 15 përqindëshin e votave. Megjithatë AAK-ja, me taksën 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja, e sidomos me kundërshtimin e idesë së boshtit Vuçiq – Thaçi dhe Rama për ndryshim të kufijve, duke kundërshtuar vendosmërisht aventurierët e Brukselit, Mogherini dhe Johanes Han, ka penguar realizimin e kësaj marrëveshjeje shumë të dëmshme. Kjo  kryekëput është meritë e Ramush Haradinajt dhe kjo nuk mund të kundërshtohet me asgjë. AAK-ja duhet të luajë rolin e opozitës konstruktive.

5.Lista Serbe: Është një parti fashiste që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe është kanceri i Serbisë në trupin e njomë të Kosovës. Për të nuk votuan serbët e Kosovës, por ishte vetëm një votë, ajo e Aleksandër Vuçiqit dhe e Serbisë që terrorizuan serbët e Kosovës të cilët nuk u mbrojtën as nga partitë politike kosovare e as nga autoritetet ndërkombëtare. Tash do ta shohim se si Kurti do ta fillojë dialogun me serbët e Kosovës e jo me Beogradin, siç ka premtuar

6.Nisma-AKR-PD: Gjithmonë kam theksuar se Nisma – AKR e kalon pragun pa asnjë problem, kurse Nisma + AKR nuk e kalon pragun dhe, si duket, ashtu do të bëhet! Nëse ndodhë kështu, atëherë zhduket përfundimisht mundësia e shantazhit që ua bënte AKR-ja të tjerëve. Shantazhimi i AKR-së, sa ishte krejtësisht i pamoralshëm, ishte edhe kriminal. Kjo tash është punë e paqtë.

Përfundim: Ende nuk mund të themi se kanë mbaruar punët. Është një koalicion i projektuar më herët midis LV-së dhe LDK-së, por se tash me forcimin e pozicionit negociues (shantazhues) të LDK-së, si kompromis mund të bëhet formula: LV-ja postin e kryeministrit dhe 30-35 për qind të ministrive, kurse LDK-ja postin e kryeparlamentarit dhe 65-70 për qind të ministrive. Në çdo variant, nëse për shkak të kombinimeve të ndërkombëtarëve PDK-së i ofrohet pjesëmarrja në qeveri, në asnjë rrethanë nuk duhet ta pranojë. LV-ja dhe LDK-ja i kanë siguruar besoj 61 vota shqiptare dhe nuk varen aspak nga Lista Serbe kur duhet të votohen ligjet me një shumicë të thjeshtë, kurse aty ku duhen dy të tretat e votave, në raste shumë të rralla, PDK-ja dhe AAK-ja duhet të votojnë, pa asnjë kushtëzim. Në këtë kontekst e them se edhe PDK-ja edhe AAK-ja duhet ta votojnë Qeverinë Kurti pa asnjë hezitim dhe qysh tani ta bëjnë këtë përkrahje. Në rast se LV-LDK bëjnë ndonjë veprim represiv kundër opozitës e nuk e besoj se do ta bëjnë këtë, atëherë krijohet një situatë tjetër. Qeveria Kurti duhet të bashkëpunojë me Brukselin dhe Uashingtonin, por gjithnjë duke mbrojtur interesin e Kosovës duke ua bërë të ditur se nuk bisedohet për territore e as për Republika Serpska në Kosovë! Tash, Albin Kurti, nëse bëhet kryeministër, duhet të flasë edhe në emër të opozitës sepse do të jetë edhe kryeministër i tyre. Kosovën e presin shumë probleme ekonomike, sociale e sidomos politike. Buxheti i Kosovës është thuaja buxhet social, kurse çdo infuzion financiar nga Perëndimi do të kushtëzohet me lëshime dhe dëgjueshmëri politike. Për këtë arsye  shkrimin e fundit e kam titulluar: “Fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 do të jetë humbësi më i madh”. Ende nuk kam ndryshuar qëndrim! Është ngritur shumë tym, të presim të kalojë euforia dhe të lëshohen gjërat në tokë dhe për toke.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fitorja është synim i Kosovës në ndeshjen ndaj Malit të…